Ilustrim

Kurti: Vuçiqit i dhashë tre libra që flasin për Kosovën, nuk e pranoi asnjërin

Kryeministri Albin Kurti ka shkruar se në takimin e sotëm me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, këtij të fundit ia ka ofruar tri libra që flasin për gratë e përdhunuara gjatë luftës, listën e 1,113 fëmijëve të vrarë dhe “Dosjen Britanike”, për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit.

“Për dallim nga ndërmjetësi Josep Borrell, kryetari i Serbisë nuk i mori tre librat që ia dhashë: rrëfime të grave të përdhunuara në Kosovë gjatë luftës, listën e 1.133 fëmijëve të vrarë prej të cilëve 109 janë ende të pagjetur, dhe librin “Muhaxhirët – Dosja Britanike” për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Tutje Kurti ka thënë se delegacioni serb assesi nuk ka pranuar togfjalëshin “ballafaqimi me të kaluarën”.

“Është për të ardhur keq që nuk arritëm të dalim së paku me një deklaratë të përbashkët nga ky takim. Shkaku ishte që delegacioni serb nuk pranoi futjen në tekst të togfjalëshit “ballafaqimi me të kaluarën”, ka shkruar Kurti.

Sipas Kryeministrit ‘Serbia si shtet ka ardhur në mesin e popullsisë shqiptare me gjenocid dhe ka ikur me gjenocid’.

“Mosnjohja e së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngusht”, ka theksuar ai.

Në postimin në Facebook Kurti ka bërë publike edhe propozimin për marrëveshjen e paqes e cila ishte refuzuar nga pala serbe ende pa u lexuar, duke theksuar se do të vazhdojnë me takime konstruktive.

“Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar për paqe dhe drejtësi, për siguri dhe stabilitet, për demokraci dhe progres. Do të jemi të gatshëm për takime e biseda konstruktive, dhe për dallim nga fqinji ynë verior nuk kemi dilema sa i përket integrimeve evropiane dhe euro-atlantike”, theksoi ai.

Sot kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë zhvilluar takimin e dytë në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas këtij takimi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha që nuk janë pajtuar për asgjë duke thënë që kryeministri Kurti është kthyer në shekullin XIX.

Ndërsa kryeministri Kurti tha se Serbia ia refuzoi marrëveshjen e paqes ende pa e lexuar atë.