Foto: Zyra e Kryeministrit Albin Kurti

Kurti, Vuçiqi dhe Abazoviqi pjesë e panelit diskutues në Forumin Ekonomik Botëror

Kryeministri i  Kosovës, Albin Kurti, ishte pjesë e panelit diskutues me temën “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor” në Forumin Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos/Klosters të Zvicrës.

ZKM-ja njofton se krahas kryeministrit Kurti, në këtë sesion, diskutuan edhe Andrej Plenkoviq, kryeministër i Kroacisë, Dritan Abazoviq, kryeministër i Malit të Zi, Alexander Schallenberg, Ministër Federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Stevo Pendarovski, president i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, Zoran Tegeltija, kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Miroslav Lajçak, Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Dialogun dhe Odile Françoise Renaud-Basso nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh).

Në njoftim theksohet se diskutimi në panel u kryesua nga Børge Brende, president i Forumit Ekonomik Botëror, ndërsa u prezantua nga Mirek Dusek, zëvendësdrejtor i Qendrës për Çështje Gjeopolitike dhe Rajonale, njëherit Anëtar i ExCom, Forumi Ekonomik Botëror.

“Ky sesion që ofroi mundësi për dialog me shumë palë mbi Ballkanin Perëndimor, ka për synim të ndihmojë nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimin e partneriteteve të reja ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.