
Kurti: Vuçiq dëshiron luftë sepse dëshiron Republikë Srpska në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dëshiron luftë sepse do që ta fitojë Republikë Srpska në Kosovë.
Në një intervistë për Aljazeera, Kurti tha se Vuçiq dëshiron luftë edhe një gjenocid Kosovë që ta fitojë Republikën Srpska, por që siç u shpreh kryeministri, nuk do ta marrë.
“Ai (Vuçiq) dëshiron luftë sepse dëshiron Republikë Srpska në Kosovë. E dini pse është themeluar Republika Srpska (në Bosnjë)? Sepse ka pasur luftë dhe gjenocid në Bosnjë. E tash ai dëshiron luftë edhe edhe një gjenocid në Kosovë që ta fitojë Republikën Srpska. Por nuk do ta marrë”- ka thënë Kurti.
“Siguri për Kosovën, sanksione për Serbinë. Kjo është gjëja kryesore dhe më urgjentja. Pas kësaj mund të shohim se çka tutje”- thekson kreu i ekzekutivit kosovar.
Kryeministri ka thënë se Lista Serbë është degë e Partisë Përparimtare Serbe në Kosovë dhe sipas Kurtit, qëllimi i tyre kryesor është që mos lejojnë asnjë parti tjetër të serbëve.
“Lista Serbe është degë e SNS në Kosovë. Ajo nuk është parti e vërtetë. Synimi kryesor i Listës Serbe në Kosovë është që të mos lejojë asnjë parti tjetër të serbëve në Kosovë”- tha Kurti.
Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë.
Pjesëtarët që u vranë janë Stefan Nedeljkoviq, nga Zveçani dhe Igor Millenkoviq e Bojan Mijailloviq nga Leposaviqi.
Subjekti politik Lista Serbe më 26 shtator përmes një shkrimi në Facebook kanë njoftuar se kanë shpallur 3 ditë zi për vdekjen e bashkëqytetarëve të saj.
Po ashtu, qeveria serbe shpalli 27 shtatorin ditë zie në Serbi pas vrasjes së 3 pjesëtarëve të grupit terrorsit. Veprimi u kritikua edhe nga faktori ndërkombëtar.