Foto: ZKM

Kurti viziton kompanitë kosovare në panairin me 7500 kompani nga 125 shtete të botës në Paris

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me delegacionin nga Kosova kanë vizituar shtadin e Kosovës në panairin ndërkombëtar “Sial 2024” në Paris të Francës.

Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari; ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, dhe nga Ambasadori i Kosovës në Francë, Mehdi Halili.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, këtë vit, me mbështetje të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po marrin pjesë tetë kompani prodhuese vendore me potencial për rritje të eksportit, të cilat prezentojnë produktet e tyre nga industria e përpunimit të produktueve bujqësore, industria e pemëve dhe perimeve, produkte konditorike, fruta të imëta e të ngrira industriale, pije enrgjike dhe lëngje frutash. 

Sipas njoftimit, ky panair ka mbledhur 7500 ekspozues prej 125 shteteve nga mbarë bota.

ZKM shkruan se kryeministri Kurti me delegacionin e tij, gjatë vizitës në panair, me përfaqësuesit e këtyre kompanive, ka theksuar rëndësinë e krijimit të mundësive për prodhuesit nga Kosova, mbështetjen e tyre përballë sfidave dhe në rritjet e kapaciteteve eksportuese. 

“Kjo mbështetje e mëtejshme për sektorin privat në Kosovë, së shpejti do të ofrohet edhe përmes Agjencisë për Investime dhe Eksporte në kuadër të Zyrës së Kryeministrit”- shkruan Zyra e Kryeministrit në njoftimin e datës 19.10.2024. 

Po ashtu bëhet e ditur se gjatë vizitës në panair, delegacioni i Qeverisë së Kosovës ka vizituar edhe dy kompani nga Shqipëria që ishin pjesëmarrëse në këtë panair. 

“Promovimi i kompanive tona në panaire të tilla ndërkombëtare, sikur SIAL 2024, që njihet si panairi më i madh ndërkombëtar për industrinë ushqimore, është e rëndësishme për afirmimin e produkteve nga Kosova në tregjet ndërkombëtare. Kështu ndihmojmë rritjen e eksportit dhe përmirësimin e imazhit të vendit tonë si një vend me potencial të madh për zhvillim ekonomik dhe inovacion”- thuhet në komunikatën e ZKM-së.