Albin Kurti në HANDIKOS, 02.12.2024, Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com

Kurti viziton "Handikos"-in, studenti me aftësi të kufizuara e prindërit i paraqesin kërkesa kryeministrit

“Tash ndjek studimet në fakultet privat për shkak se fakulteti i shtetit, qysh e dimë na, nuk i plotëson të gjitha kriteret dhe kushtet që na me pasë një lëvizje sa ma të lirë” – i tha studenti me aftësi të kufizuara, Eldin Gashi, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kjo ishte njëra nga deklaratat përmes së cilës Gashi përshkroi sfidat e tij para kryeministrit Kurti në vizitën që ai ia bëri sot, më 02.12.2024, në organizatën “Handikos”.

Vizita e Kurtit u realizua për nder të shënimit të 3 dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.

Përveç me studentin, pas fjalimit të tij, Kurti u përball edhe me një prind, Lumnije Bojku, e cila e shoqëronte djalin e saj me aftësi të kufizuara dhe i kërkoi kryeministrit që t’ia punësonte në një punë të shtetit, pasi në sektorin privat nuk po ia pranojnë.

Eldin Gashi është 19-vjeçar dhe përfaqësues i grupit të fëmijëve me aftësi të kufizuara në “Handikos”.

Gjatë fjalimit të tij, Gashi iu drejtua kryeministrit Kurti duke ia treguar gjendjen në studime dhe theksoi se pa dashje ose me dashje ata janë pjesë e diskriminimit e bullizimit sa i përket bashkëmoshatarëve, arsimtarëve.

19-vjeçari përveç që ia përmendi fakultetin privat Kurtit, ia përmendi edhe spitalin privat.

Sipas Gashit, në vitin 2019 ka pasur një problem me zemër dhe i është dashur të operohet në spital privat.

“Jam ballafaqu edhe njëherë me mjekësinë edhe me spitalin e shtetit në QKUK. Ku e kam pa që aty nuk ka qasje të duhur edhe nuk ka shërbim të duhur shëndetësor për sa i përket sfidës edhe sëmundjes time. Edhe është dashtë me bo operacion transplant në spital privat, ku të gjitha materialet, paret i kam jep prej vetes” – ka treguar Gashi.

“Hajt i kam gjetë paret po tani pastaj sa e kam pasë problem me pa edhe me dalë para tjerëve, ku i kam pa sa shumë më kanë ndihmu edhe qysh nuk kam mujtë unë m’ia kthy atyne ato mjete financiare, atë mbështetje që e kanë ba ndaj meje” – ka shtuar Gashi.

Në fund të fjalimit të tij, Gashi i ka kërkuar Kurtit më shumë bashkëpunim për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

“Po pres shumë ma shumë mirëkuptim, bashkëpunim edhe në të ardhmen me pasë një bashkëpunim për sa i përket të drejtave tona” – tha Gashi.

Për Lumnije Bojkun takimet e tilla të “Handikos”-it, ku shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara, janë të mjaftueshme.

“Boll kësi takime kena mbajtë gjithë në ‘Handikos’ e tash duhet m’i punësu se s’mujna na m’i lanë rrugëve këta” – theksoi Bojku.

Ajo i kërkoi Kurtit që djali t’i punësohet në një punë të shtetit, pasi nuk po i ofrohet mundësia në punë në sektorin privat.

“Me punësu dikun naj punë të shtetit se përndryshe në privat nuk ka shanse… Djalin se djali për çdo ditë m’del n’rrugë” – tha Bojku.

Kurti i është përgjigjur se do t’i ndihmonte zëvendësministri i Financave, Agon Dobruna, duke ua marrë të dhënat kontaktuese.

“Na i mori emrin, mbiemrin edhe tha ju thërrasim” – tregoi Bojku.

Përfaqësuesja e grupit avokues të prindërve në “Handikos”, Jeta Pllana, i tha Kurtit se për personat me aftësi të kufizuara duhet të mendohet çdo ditë.

Pllana ka treguar shërbimet që i ofron “Handikos” për fëmijët e tyre dhe prindërit.

“Këtu është vendi i vetëm në të cilin fëmijët tanë kanë marrë shërbime pa asnjë kosto, e gjithashtu është menduar edhe për mirëqenien e neve nanave sepse këtu na është ofru edhe mundësia e marrjes së shërbimeve si psikoterapi” – ka thënë Pllana.

“Është shumë njerëzore dhe e pranishme që edhe ne të ndihemi të lodhur, të demoralizuar por të dorëzuar asnjëherë. Të fuqizuar edhe më shumë, sepse fëmijët tanë janë motivi ynë. Në çdo rënie ngritemi më të fortë” – deklaroi Pllana.

Afrim Maliqi, drejtor i “Handikos”, tregoi se motoja “Shteti im më do dhe më mbron” ishte përzgjedhur nga fëmijët me aftësi të kufizuara për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.

Maliqi vlerëson se situata me personat me aftësi të kufizuara ende mbetet jo e mirë në disa fusha, si në fushën e rehabilitimit, fushën e qasjes. Sipas Maliqit, vlerësohet se vetëm 12-13% e fëmijëve me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në arsim.

Maliqi mendon se nuk është e nevojshme të ngritet vetëm vetëdija por edhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

“Nevojat janë që të shtohet numri i kujdestarëve, për arsye se shumë familje për arsye se duhet të kujdeset për anëtarin e vet të familjes nuk mund edhe të punësohen… Këtu jemi me një objekt i cili qysh në vitin 2003 është fillu, edhe prej atëhere ofrojmë shërbime… mirëpo një objekt i cili veç ka fillu izolimi ta lëshojë… shpeshherë hasim në vështirësi në nxemje” – ka thënë Maliqi.

Maliqi po ashtu përmendi se sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), deri në 15% të popullatës vlerësohen të prekur nga çfarëdo kufizimi qoftë ai.

“Edhe përkundër që është bërë regjistrimi i popullatës [në Kosovë], statistikat ende nuk kanë dalë po shpresojmë që do të jenë shumë ma reale” – tha Maliqi.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti përmendi masat që ka ndërmarrë Qeveria e tij për ta përmirësuar gjendjen e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë.

Sipas Kurtit, këtë vit Qeveria e Kosovës ka rritur pensionet edhe për kategorinë e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë për 20%. 

“E gjatë vitit 2023 numri i përfituesve të skemës për kompensimin e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë ka qenë 3,006 persona, si dhe vlera e buxhetit të shpenzuar diku afër 11.5 milionë euro” – ka deklaruar Kurti.

Kurti tha se pas publikimit të plotë të rezultateve të regjistrimit të popullsisë do të mund ta kenë pasqyrën e saktë dhe planifikimin më të mirë për të ardhmen lidhur me personat me aftësi të kufizuara.

“Për herë të parë po e iniciojmë ligjin për personat e shurdhër. Është duke u zhvilluar koncept-dokumenti për ofrimin e shërbimeve në gjuhën e shenjave për qytetarë të shurdhër në Kosovës” – tha Kurti.

Kurti po ashtu përmendi se deri më tani janë të punësuar 339 asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuara, ndërkaq u bëri thirrje edhe një herë komunave të Kosovës që të aplikojnë, sepse i kanë buxhetuar deri në 500 asistentë.

Tutje, Kurti tha se në gusht të këtij viti e kanë aprovuar rregulloren e re për procesin e vlerësimit të personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë duke adresuar problemet e mëdha që ka shkaktuar rregullorja e kaluar.

Sipas Kurtit, tashmë vlerësimi i personave me aftësi të kufizuara do të bëhet vetëm para një Komisioni të Ministrisë, ndërkaq rregullorja paraprake që kishte parashikuar rivlerësim pas çdo 3-5 viteve për përfituesit kjo ka qenë në kundërshtim me ligjin.

“Rivlerësimi mund të bëhet vetëm në rastet shumë të veçanta, pra nuk ke nevojë që ta vlerësosh çdo 3 vjet, 5 vjet, që je person me aftësi të kufizuara” – tha shefi i Qeverisë.

Ai tha se Komisioni do të jetë llogaridhënës ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe se komisioni i ri do të përbëhet nga mjekët dhe profesionistët e nënkontraktuar. Ai premtoi se ky Komision do të emërohet këto ditë.

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara shënohet çdo vit më 3 dhjetor, që nga viti 1992.

Kjo ditë ka të bëjë me promovimin e të drejtave dhe mirëqenies së personave me aftësi të kufizuara në çdo nivel të shoqërisë dhe zhvillimit, dhe për të rritur ndërgjegjësimin për situatën e personave me aftësi të kufizuara në të gjitha aspektet e jetës politike, sociale, ekonomike dhe kulturore.