Albin Kurti viziton familjen e Rexhep Selimit. Foto: Lëvizja Vetëvendosje/Facebook

Kurti viziton familjen e Rexhep Selimit, LVV-ja s'i përmend Thaçin, Veselin e Krasniqin

Krytari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me disa bashkëpartiakë ka vizituar familjen e Rexhep Selimit, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LVV-së.

Rexhep Selimi, tash e katër vjet është duke u mbajtur në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, ku ndaj tij dhe tre bashkëluftëtarëve, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – është duke u zhvilluar gjyq për krime lufte.

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë një postim ku është treguar se Kurti ka vizituar familjen e Selimit, por në këtë postim nuk janë përmendur edhe tre të paraburgosurit e tjerë, figura të larta të UÇK-së dhe të politikës.

“Rexhep Selimi tash e katër vjet është duke u mbajtur padrejtësisht në burgun e Hagës. Një figurë e çmuar që i shërbeu vendit si ish-komandant i UÇK-së dhe më pas si deputet që nga hyrja jonë në institucione në vitin 2010, si anëtar i Kryesisë dhe si Shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes, Rexhep Selimi ka qenë gjithmonë simbol i vendosmërisë dhe triumfit” – thuhet në postimin e LVV-së.

Vizita e Kurtit bashkë me krerë të tjerë të institucioneve dhe të Lëvizjes Vetëvendosje te familja e Selimit, bashkëshortja e tij dhe deputetja Shqipe Mehmeti-Selimi, thuhet në postimin e kësaj partie, se “përforcoi edhe një herë bindjen e pathyeshme se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe dinjitoze”.

“Ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë gjykatën e padrejtë, gjykimin e padrejtë, ashtu siç kemi bërë gjithmonë” – ka theksuar LVV.

Po ashtu u tha se si Lëvizje, si anëtarësi e si aktivistë, janë të patundur në mbështetjen për Rexhep Selimin.

“Shpresojmë që ai të kthehet sa më parë te ne, te vendi që aq shumë e deshi dhe për të cilin kontribuoi shumë dhe pa kursyer asgjë” – u shtua më tej.

Albin Kurti viziton familjen e Rexhep Selimit. Foto: Lëvizja Vetëvendosje/Facebook
Albin Kurti viziton familjen e Rexhep Selimit. Foto: Lëvizja Vetëvendosje/Facebook

Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.