Kurti vizitoi komunat e Suharekës dhe Shtimes

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar vizitat nëpër komuna.

Sot, ai bashkë me ministren në detyrë të Administratës dhe Pushtetit Lokal, znj. Emilija Redžepi, kanë takuar Kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremajn dhe Kryetarin e Komunës së Shtimes, Naim Ismajlin në komunat e tyre.

Sipas një njoftimi për media. në Suharekë, kryetari Muharremaj njoftoi se gjendja është duke u menaxhuar suksesshëm dhe se të prekurit me virusin corona janë duke u monitoruar në vazhdimësi, kurse sipas tij, sa i përket masave të reja të lëvizjes, ato po respektohen dhe po tregohen shumë efektive.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Shtimes, Ismajli tregoi se në komunën e tij deri tani ka qenë vetëm një rast i prekur me COVID-19, i cili është shëruar.

Edhe Ismjali tha se masat e qeverisë dhe rekomandimet e profesionistëve të shëndetësisë për mbajtjen e distancës, pastërtisë dhe më të rëndësishmen qëndrimit në shtëpi, janë arsyet e menaxhimit të mirë të kësaj situate në këtë komunë.

“Sukseset nuk duhet të na relaksojnë. Ky virus është tinëzar, prandaj ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm. Vetëm me disiplinë maksimale fitojmë. Duhet të jemi bashkë dhe të ndarë: bashkë në luftën kundër virusit, të ndarë nëpër shtëpitë tona për të fituar kundër virusit”, është thënë në fund të njoftimit të Qeverisë.

Deri më sot, në Kosovë janë konfirmuar 423 persona me COVID-19, 71 janë shëruar dhe 11 kanë vdekur.