
Kurti: Viti 2024 është viti i pasaportës sonë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 22.12.2024, ka thënë se pasaporta e Kosovës, është në mesin e top 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh në dekadën e fundit.
Siç ka thënë ai, “viti 2024 është viti i pasaportës së Kosovës”.
“Ajo [pasaporta] renditet më lart se kurdoherë në indekset ndërkombëtare të pasaportave, është në mesin e top 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh në dekadën e fundit, dhe me të sot mund të udhëtojmë në 38 vende të botës më shumë sesa në vitin e kaluar”- ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se qytetarët tashmë lëvizin lirshëm dhe të padiskriminuar, pa pasur nevojë të presin para dyerve të ambasadave për të marrë vizë për udhëtime afatshkurtra në shumë shtete.
“Me liberalizim të vizave, me njohje të pasaportës sonë edhe nga shtete mosnjohëse, po e afrojmë Kosovën, me Evropën dhe përtej”- ka shkruar ai në Facebook.
Verën e vitit 2024, Qeveria e Kosovës, ka bërë të ditur se të gjithë mërgimtarët që kanë qenë të detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës, mund ta rikthejnë atë përmes procedurave të lehtësuara e pa pagesë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve për aplikim pranë konsullatave ose në komunave për t’u bërë sërish shtetas të Republikës së Kosovës.
Qeveria është aktivizuar në krijimin e lehtësirave për fitimin e shtetësisë kosovare duke e proceduar në Kuvend, Projektligjin e ri për shtetësinë, megjithatë i njëjti ka mbetur ende në procedurë nga 11.01.2024.
Nëse deputetët e miratojnë versionin e tashëm të këtij projektligji, atëherë çdo fëmijë lind shtetas i Republikës së Kosovës, nëse në momentin e lindjes të paktën njërin prind e ka shtetas kosovar.
Një raport i Ministrisë së Punëve të Brendshme, tregon se gjatë periudhës Korrik-Shtator 2024, janë marrë 258 vendime për lirim nga shtetësia. Ndërsa, po të njëjtën periudhë, 470 persona kanë fituar shtetësinë.
Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2023 më shumë persona janë liruar nga shtetësia e Republikës së Kosovës, se sa që e kanë fituar shtetësinë kosovare. 3,098 personave iu është aprovuar kërkesa për lirim të shtetësisë. Ndërkaq, nga 1,259 kërkesa për fitim të shtetësisë së Kosovës, 708 prej tyre e kanë fituar.