Kurti: Vetingu do kthejë besimin e qytetarëve në drejtësi

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se procesi i Vetingut do kthejë besimin e qytetarëve në drejtësi.

Ai në takimin e parë grupit punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vetingut tha se, sistemi i drejtësisë në Kosovë është i prishur.

“Pas miratimit te koncept dokumentit sot e hapim këtë grup punues si një hap tutje drejt realizmit të reformës në dobi të drejtësisë. Sundimi i ligjit është shtyllë e funksionimit të shtetit. Sistemi i drejtësisë në Kosovë është i prishur për shkak humbjes së besimit dhe ndikimeve në sistemin gjyqësor nga jashtë”, ka thënë Kurti.

Kurti potencoi se Kosova ka nevojë për gjyqtarë dhe prokurorë me integritet.

“Nuk ka më dilema nëse duhet të ndodhë kjo reformë pasi do garantojë kthim të besimit të qytetarëve në drejtësi, na duhen gjyqtarë dhe prokurorë me integritet si dhe fuqizim i llogaridhënies së sistemit gjyqësor, pasi në mungesë të tij rrezikohet demokracia në shoqëri”, shtoi tutje Kryeministri.

Ai theksoi se procesi i reformës në drejtësi do sigurojë profesionalizëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe kontrollim të pasurisë së tyre.

Në këtë takim, Kurti bëri të ditur se krahas Vetingut do të jetë edhe ligji për prokurorin e shtetit dhe prokurorinë speciale.

“Krahas Vetingut është edhe ligji për prokurorin shtetit dhe prokurorinë speciale. Kjo reformë është garantues i mbrojtjes së pavarësisë së gjyqësorit”, tha Kurti.

Kryeministri kërkoi bashkëpunim institucional për këtë reformë e cila do rris transparencën për qytetarët.

“E konsideroj të domosdoshëm bashkëpunimin institucional pasi kjo reformë është në dobi të secilit qytetar. Balanci mes fuqive të drejtësisë rrit llogaridhënien dhe transparencën për qytetarët. Këtë reformë do ta qojmë deri në fund”, deklaroi Kurti.