
Kurti: Veteranët e vërtetë duhet të kenë kompensim më të lartë se paga minimale
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se është pro që veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kenë kompensim më të lartë se paga minimale, por që sipas tij duhet arritur deri tek numri i vërtetë i veteranëve.
“Ne jemi që veteranët e UÇK-së të kenë kompensim mirënjohje e falënderim më të lartë se sa paga minimale, por një numër i vërtetë i tyre do të duhet të kishte kompensim shumë më të lartë por duhet të mbërrijmë tek numri i vërtetë”, ka deklaruar Kurti.
Për këtë çështje, kryeministri ka thënë se është i gatshëm që të bashkëpunojë me organizatat e dalura nga lufta deri të arrijnë tek numri i vërtetë i veteranëve.
“Për këtë unë jam shumë i interesuar e i gatshëm për të bashkëpunuar edhe me organizatat e dalura nga lufta por dhe jo vetëm në mënyrë që të vijmë tek numri i vërtetë, i cili na e shton dinjitetin e respektin dhe një kompensim më të lartë se paga minimale”, tha ai.
Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke protestuar para objektit të Kuvendit të Kosovës.
Protestuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë thyer kordonin e Policisë së Kosovës dhe kanë depërtuar brenda oborrit të Kuvendit të Kosovës.
Faton Klinaku ju ka bërë thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë dhe të mos lëndojnë Policinë.
Në oborrin e Kuvendit janë duke qëndruar pjesëtarë të Policisë dhe Njësisë Speciale.
Protesta e sotme është paralajmëruar nga ana e OVL UÇK, që po kërkojnë tash e sa kohë, që pensioni për veteranët e UÇK-së të përfshihet në Ligjin për paga.
OVL-UÇK në vazhdimësi kanë kundërshtuar mospërfshirjen e veteranëve në Ligjin për paga.