Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Vetëm dje kemi paguar 2 milionë e gjysmë euro për import të rrymës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën plenare të Kuvendit të mbajtur sot ka thënë se vetëm gjatë ditës së djeshme janë paguar për rrymën e impotuar 2 milionë e gjysmë euro.

Ai ka shpjeguar para deputetëve se si ka funksionuar gjatë ditës së djeshme furnizimi me rrymë.

I njëjti ka thënë se rritja e çmimit të rrymës nuk është për çmimin që vije prej KEK-ut, por për atë që e merret nga bursa ndërkombëtare.

Sipas të parit të Qeverisë së Kosovës, rryma që është blerë dje nga bursa ndërkombëtare është bërë në mënyrë që të ketë furnizim të qëndrueshëm.

“Dje çmimi bazë ka qenë 207 euro për MW në orë, ndërkaq ai maksimal 245 për MW orë, ne zakonisht blejmë në pik, kështu që nëse e marrim përafërsisht 240 euro një MW në orë që e kemi marr prej bursës ndërkombëtare, e kemi blerë në mënyrë që të ketë furnizim të qëndrueshëm në kushtet që konsumojmë shumë më tepër sesa shpenzojmë. Kur e shumëzojmë del që dje kemi paguar import 2 milionë e gjysmë euro”, është shprehur Kurti.

Pas kësaj Kurti ka pasur një pyetje për deputetët prezentë në sallë.

“Më tregoni të nderuar deputetë, qysh t`i paguajmë, ku t`i marrim dy milionë e gjysmë”, ka qenë pyetja e tij.

Tutje ai ka thënë se gjatë ditës së 19 janarit të 2022-ës tri blloqet e termocentralit Kosova A; A3, A4 dhe A5 kanë qenë në punë.

“A3-shi ka gjeneruar energji me kapacitet prodhues 133 MW, A4 135 MW dhe A5 130 MW. Ka prodhuar dhe B1 251 MW, B2 vazhdon të jetë jashtë funksionit”, ka thënë Kurti.

Tutje i njëjti ka shtuar se totali i gjenerimit të rrymës gjatë ditës së djeshme ka qenë 727 MW dhe se konsumi nacional ka qenë piku 1 mijë 317 MW në ora 23:00, ndërkaq ngarkesa bazë  834 MW.

Sipas tij gjatë po të njëjtës ditë importi ka qenë mbi 10 GW në orë, ndërsa devijimi mbi 400 GW në orë.

Nga rritja e çmimit të rrymës janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit do të preken, kjo pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Sipas të dhënave të KEDS-it, konsumin prej 600 kWh e tejkalojnë 31% apo 195,300 konsumatorë të amvisërisë gjatë sezonës së dimrit. Ndërsa, 21% të konsumatorëve gjatë sezonës së verës.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.