Albin Kurti. Foto: KALLXO.com.
Kurti: Vendimi i GjND-së për pavarësinë s'u përdor mjaftueshëm për të përmbysur strategjinë e Serbisë
Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, 14 vite pas, e ka kujtuar kryeministri Albin Kurti, duke vlerësuar se ky vendim nuk është përdorur mjaftueshëm për ta përmbysur strategjinë e Serbisë për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Kosovës.
Për kreun e ekzekutivit, tendencat e Serbisë për të minimizuar peshën e Mendimit Këshilldhënës të GjND-së, përfshirë moszbatimin e parimeve të Kartës së OKB-së në marrëdhëniet e saj me Kosovën do mbeten vepra të një shteti që tenton në keqbesim rehabilitimin e dështuar të saj në bashkësinë e kombeve të civilizuara.
Serbia, sipas Kurtit, ushtroi gjenocid në territorin e tre shteteve të sotshme dhe vazhdon në mënyrë institucionale ta mohojë atë.
Kurti beson që ndikimi i Mendimit Këshilldhënës të GjND-së ishte dhe vazhdon të jetë i madh.
“Ajo përbën një fakt konstitutiv, të pakontestuar, të argumentit se qenia dhe vazhdimësia e shtetit të Kosovës ka qenë dhe do jetë e drejtë’- ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka theksuar se juristë eminentë e referencojnë këtë vendim pafundësisht në literaturën moderne, kurse studentët e drejtësisë e mësojnë atë si një nga aktgjykimet më përmbajtësore që vendosi bazat e normave që rregullojnë lindjen e shtetit të ri në një kontekst post-gjenocidal e post-kolonial bashkëkohor.
Kryeministri ka shtuar se në 123 paragrafë të përmbledhur në 54 faqe vendim, Gjykata e arsyetoi gjerësisht se si Deklarata e Pavarësisë e 17 Shkurtit 2008 nuk shkelte asnjë normë të përgjithshme a speciale të së drejtës ndërkombëtare dhe se shkëputja e Kosovës nga shteti pararendës përbënte tashmë një fakt të parevokueshëm.
“Është për të ardhur keq që në dekadën e kaluar ky mendim i GjND-së më së shumti u përmend te fusnota që iu mbivendos emërtimit të Kosovës, e nuk u përdor mjaftueshëm për ta përmbysur e eliminuar strategjinë e Serbisë për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Kosovës përmes kornizës së dikurshme të Dialogut të Brukselit”- shkroi Kurti.
Për të, mendimi Këshilldhënës i GjND-së përbën një rast të rrallë ku Gjykata mbështet pa asnjë dyshim e me një interpretim thellësisht të bindshëm lindjen e të drejtës së një populli të shtypur e të kolonizuar për dekada me radhë nga një pushtet shovinist, kriminal e gjenocid-bërës, për të qenë dhe ekzistuar si shtet i pavarur e i ligjshëm në të drejtën ndërkombëtare.
Më 22.07.2010, Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Hisashi Ovada, tha se gjykata konsideron se e drejta ndërkombëtare nuk përmban ndalesë për deklarata të pavarësisë. Në këtë aspekt, ai theksoi:
“Gjykata konsideron se e drejta ndërkombëtare e përgjithshme nuk përmban ndalesë të zbatueshme për deklarata të pavarësisë. Rrjedhimisht, ajo konkludon se Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”.
Ovada theksoi se Rezoluta 1244 po ashtu nuk e ndalon shpalljen e pavarësisë së Kosovës.