Kurti: Vaksinat erdhën në ditën ndërkombëtare të infermierëve, ka më shumë se një vit që janë në front të kësaj lufte

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përmes rrjetit Facebook ka bërë të ditur për ardhjen e mbi 38 mijë dozave të vaksinës kundër COVID-19, AstraZeneca.

Kurti tha se ky dorëzim i vaksinave u bë në ditën ndërkombëtare të infermierëve, pranimin e të cilave e bëri bashkë me ministrin e shëndetësisë, Arben Vitia dhe ambasadorë e diplomatë të huaj në Kosovë.

“Sot, në ditën ndërkombëtare të infermierëve, kanë arritur 38,400 doza të vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19. Së bashku me Ministrin Vitia, Ambasadorin Abbott, Ambasadorin Szunyog, Ambasadoren Butel, Ambasadorin Rohde, Koordinatoren për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, drejtorin e UNICEF-it, Murat Sahin, dhe drejtoreshën e USAID-it, Lisa Magno, pranuam kontingjentin e ri me vaksina në kuadër të Aleancës COVAX”, ka shkruar Kurti.

Tutje kryeministri Kurti vlerësoi punën e infermierëve të cilët ka më shumë se një vit që po përballen me këtë situatë.

“Infermierët, qysh nga muaji mars i vitit të kaluar, kanë qenë në front të përballjes me pandeminë COVID-19. Ata asnjë ditë nuk kanë pushuar e më së paku janë kujdesur për vetveten, sepse pareshtur janë përkujdesur për shëndetin tonë. Edhe tani, në fazën e vaksinimit, infermierët po luajnë një rol kyç”, ka shtuar tutje  Kurti

Kurti tutje ka thënë se ky përkushtim nga ana e stafit mjekësor na detyron që të përmbushim synimin për imunizim të 60 për qind të popullatës brenda vitit.

“Përkushtimi i tyre i përditshëm na detyron neve si qeveri që të angazhohemi maksimalisht që të sigurojmë doza sa më shumë, në mënyrë që të përmbushim synimin që brenda vitit të imunizohen 60% të popullatës. Kështu, shpresojmë që do t’ua lehtësojmë punën sadopak infermierëve tanë”, ka theksuar Kurti.

Arrijnë në Kosovë mbi 38 mijë vaksina anti COVID-19