Kurti: Ushtarët e FSK-së të gatshëm t'i dalin në ndihmë vendit mik - Kroacisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas tërmeteve që kanë dridhur sot në mëngjes kryeqytetin e Kroacisë, Zagrebin.

Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se si Qeveri do t’i shohin të gjitha mundësitë për të ofruar ndihmën institucionale.

“Zagrebin sot e zgjoi tërmeti prej 5.4 ballëve. Në kohën kur institucionet kroate po luftojnë me virusin corona, sot ato duhet të merren edhe me pasojat e tërmetit. Dëmet materiale janë të mëdha por fatmirësisht duket se pa viktima në njerëz”, ka shkruar ai.

Gjithashtu, ai ka shprehur gatishmërinë e trupave të FSK-së që t’i dalin “në ndihmë si përherë miqve tanë”.

“Si Qeveri e Kosovës do t’i shohim të gjitha mundësitë për të ofruar ndihmën tonë institucionale. Uroj që Qeveria e Kroacisë, Kryeministri i saj z. Andrej Plenković, të ja dalin mbanë e të mos kenë nevojë për ne të tjerët. Gjithsesi, trupat tanë të FSK-së janë të gatshëm si përherë t’i dalin në ndihmë miqve tanë”, ka shkruar Kurti.

Edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka shprehur solidaritetin me popullin kroat.

“Në këtë ditë të rëndë, lutemi për miqtë kroat që këtë katastrofë natyrore ta përballojnë me sa më pak pasoja dhe jemi me ta duke ndarë solidaritetin dhe dhimbjen!”, ka shkruar ajo në Facebook.

Dy tërmete të forta dhe një tjetër i një intensiteti më të ulët kanë dridhur sot në mëngjes kryeqytetin e Kroacisë, Zagrebin.

Siç raporton televizioni publik, HRT, i cili citon zëvendësministrin e Brendshëm Damir Trut, përveç dëmeve materiale tërmetet kanë shkaktuar edhe të lënduar.

Tërmeti i parë, i fuqisë 5.3 ballë të Rihterit, zgjoi banorët e Zagrebit në ora 6:24. Dridhja e tokës ka zgjatur disa sekonda.

Qendra Sizmologjike Mesdhetare Evropiane njoftoi se epiqendra ishte shtatë kilometra në veri të Zagrebit.

Tërmeti i dytë ra në ora 7:01 dhe ishte i fuqisë 5.0 ballë të Rihterit. Epiqendra e tij ishte 10 kilometra në veri të Zagrebit.

Ndërsa, tërmeti i tretë I fuqisë 3.7 ballë ra në ora 7:41.

Televizioni publik ka publikuar pamje të dëmeve materiale të shkaktuara nga këto dridhje toke në kryeqytet, si dhe qytetarë të cilët kanë dalë në sheshe dhe parqet e Zagrebit.

Dridhja e tokës është ndjerë edhe në qytetet e tjera, por edhe në vendet fqinje të Kroacisë.

Këto janë pamjet e televizionit publik kroat.

Tërmetet në Zagreb shkaktojnë dëme dhe të lënduar (VIDEO)