Kurti uron Abazoviqin: Mezi pres të punojmë së bashku

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka uruar kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq për zgjedhjen në krye të qeverisë malazeze.

Kurti ka thënë se mezi pret të punojë me homologun e tij nga Mali i Zi për sfidat e të dy vendeve.

“Ju përgëzoj nga zemra Dritan Abazovic, Kryeministri i parë i Malit të Zi nga komuniteti shqiptar i vendit. Mezi pres të punojmë së bashku ngushtë për të adresuar sfidat e shumta me të cilat përballemi në rajon”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka uruar Abazoviqin, duke thënë se së bashku do të forcojnë partneritetin mes dy vendeve dhe do të punojnë së bashku për një Ballkan Perëndimor paqësor.

Dje Kuvendi i Malit të Zi zgjodhi Qeverinë e re, që do të drejtohet nga kryeminstri Dritan Abazoviq.

Për zgjedhjen e Qeverisë së re votuan 45 deputetë të mazhorancës së re, ndërsa kundër ishin tre deputetë.

Kabineti i ka 18 ministri, katër zëvendëskryeministra dhe dy ministra pa portofol.