Kurti: Unë s'bisedoj me kandidatët për Kryeprokuror, drejtësia është e pavarur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se ekzekutivi nuk mund të ndërhyjë në drejtësi, duke folur për konkursin për Kryeprokuror të Shtetit.

“Unë nuk zhvilloj bisedime me kandidatët që mund të jenë kryeprokuror, është në vullnetin dhe interesin e atyre që kanë të drejtë të bëhen kryeprokuror të ardhshëm që të kandidojnë dhe të fitojnë”, tha Kurti.

Sipas tij, sektori i drejtësisë është i pavarur nga ekzekutivi në Kosovë.

“Ne jemi shtet demokratik ku janë të ndara pushtetet dhe rrjedhimisht në shkeljet të ligjit dhe Kushtetutës nuk ndërhynë Qeveria e Kosovës, kjo është një detyrë që e bëjnë prokuroria, gjyqësori dhe institucione të tjera”, tha me tej kryeministri pas një ngjarje të organizuar nga Agjencia e Akreditimit.

Më 12 janar, Këshilli Prokurorial i Kosovës mori vendim që të hapet konkursi për Kryeprokuror të Shtetit. Deri tek shpallja e konkursit erdhi pasi Kryeprokurorit Lumezi i skadon mandati në prill të këtij viti.

Ditë më parë, ish-prokurori special, Elez Blakaj, ka hedhur dyshime për konkursin për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, duke thënë se viteve të  fundit i të njëjtit persona ‘kanë bredhur në vazhdimësi nga një zyre tek tjera, duke e ndihmuar dhe favorizuar njëri tjetrin në pozita të ndryshme’.

Lajmërohet Elez Blakaj hedh dyshime për përzgjedhjen e kryeprokurorit të ri