Albin Kurti - FOTO KALLXO.com

Kurti: Unë jam bartës liste i cili i respekton ligjet të cilat mbrojnë të drejtat e të gjithëve

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër dhe kryetari i kësaj partie, Albin Kurti ka thënë se është bartës i listës që i respekton Kushtetutën dhe ligjet të cilët mbrojnë të drejtat e të gjithëve.

Kurti këtë deklaratë e dha kur u pyet nga gazetarët pas vendimit që pritet të zyrtarizohet, se ai dhe kandidatët e tjerë për deputetë që janë dënuar nga organet e drejtësisë në tri vitet e fundit nuk do të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Unë jam bartës liste i cili i respekton dhe i përfillë me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet të cilët mbrojnë të drejtat e të gjithë neve dhe secilit prej nesh”, tha Kurti.

Kreu i LVV-së, shtoi se institucionet e Kosovës duhet të freskohen.

“Ne kemi dorëzuar listën tonë, ashtu siç është kërkuar dhe ajo është lista jonë. Para një viti pat qenë në Kosovë ish-ambasadori Grenell për një darkë me ish-presidentin, por ai është viti i kaluar. Mendoj që institucionet e shtetit duhet të updejtohen [update-freskim] në rrethanat e reja ku jemi në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit, zgjedhje këto të cilat kanë ngjallur një entuziazëm të paparë për pjesëmarrje masive të qytetarëve”, tha ai.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ish-ministrja e Drejtësisë nga kjo parti, Albulena Haxhiu janë në mesin e 47 personave të cilët kanë probleme me ligjin. Kjo është konfirmuar dje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka raportuar KALLXO.com.

Të mërkurën KGjK njoftoi se në 15 parti politike, nga 28 sa garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit, kanë kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin.

Gjithashtu, ky institucion i drejtësisë evidentoi 47 emra të kandidatëve nga 1 mijë e 80 sosh, aq sa i kanë hyrë garës për të siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.