Foto: ZKM

Kurti udhëton për në Zvicër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në konferencën “Business Agility Day” në Cyrih të Zvicrës.

Në kuadër të kësaj konference, njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti do të jetë folës kryesor dhe do të zhvillojë takime me përfaqësues të kompanive të ndryshme ndërkombëtare. 

“Në Cyrih gjithashtu do të ketë një diskutimin dhe bashkëbisedim me studentë shqiptarë të organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë, me temë ‘Investoni në Kosovë'”- shkruan ZKM.

Ndërkaq, të premten Kurti pritet të shkojë në Bern, për takime me përfaqësues politikë e institucionalë të shtetit të Zvicrës. 

“Aty gjithashtu do të takohet me përfaqësuese të komunitetit të grave ndërmarrëse shqiptare në Zvicër dhe pjesëtarë të mërgatës sonë atje”- njofton Kryeministria.

Business Agility Day bashkon të gjitha rolet, departamentet, profesionet dhe nivelet e nevojshme për një transformim të suksesshëm, nga CEO dhe drejtuesit në departamentet e financave dhe burimeve njerëzore.