Foto ilustrim

Kurti udhëton për në Bruksel, merr pjesë në drekën me liderët e Ballkanit Perëndimor

Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të ftuar nga presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen do të mblidhen më 19.09.2024 për një drekë pune në Bruksel.

Kosova do të përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti, i cili tashmë ka udhëtuar për në Bruksel.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar më 19.09.2024 për në Bruksel për të marrë pjesë në drekën e punës me liderë të Ballkanit Perëndimor, të ftuar nga Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen”- ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Ky takim konsiderohet se vjen si shenjë e përkushtimit të saj për të mbështetur rajonin dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.

Megjithatë, nga Qeveria e Kosovës deri më tani nuk është bërë e ditur agjenda e diskutimeve e as pritshmeritë e Kosovës nga ky takim, ndonëse aty pritet të diskutohet edhe për Planin e Rritjes.

Ky plan do të mbulojë periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe pritet të ofrojë deri në 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi për gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor të BE-së në vitet e ardhshme.

Ndryshe nga katër shtetet e tjera të rajonit, më 07.05.2024, Kosovës dhe Serbisë u janë vënë parakushte shtesë në mënyrë që të përfitojnë nga 6 miliardë eurot e Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor – në kuadër të Pakos së Rritjes për të cilën Këshilli Europian dha dritën e gjelbër në mëngjesin e 7 majit 2024.

Kushti për të dy shtetet është i qartë: Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Konkretisht kërkohet normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve me synim të zbatimit të plotë të të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj, si dhe i të gjitha marrëveshjeve të dialogut të kaluar.

Von der Leyen i thërret në drekë pune liderët e Ballkanit, nga Kosova shkon Kurti