Kurti udhëton në Kroaci, merr pjesë në një konferencë ndërkombëtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot është duke qëndruar në Dubrovnik të Kroacisë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu për KALLXO.com ka bërë të ditur se Kurti është duke marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Kroacia Evropiane: Retrospektivë dhe Perspektivë” (European Croatia: Retrospective & Prospective).

Sipas tij, ky është organizim i Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve ne Parlamentin Evropian (S&D) dhe ky është një udhëtim 1 ditor i Kurtit aty.

Udhëtimi i Kurtit në Kroaci po ndodhë në kohën kur Kosova, përkatësisht qeveria është duke u përballur me kërkesat e amerikanëve dhe evropianëve, për shtensionim të situatës në veri, zgjedhje të reja në komunat veriore dhe formim të asociacionit.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, pasi për më shumë se dhjetë ditë, serbë lokalë po protesojnë në afërsi të komunave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Një ndër kërkesat e SHBA-së ka qenë që kryetarët e zgjedhur të mos e ushtrojnë detyrën e kryetarëve në objekte komunale por në ndërtesa alternative dhe që Policia e Kosovës të tërhiqen nga objektet komunale.

Kryeministri i vendit Albin Kurti e ka ripërsëritur se për sa kohë do ketë persona të dhunshëm para objekteve të komunave, policia do vazhdojë të qëndrojë atje.

Në anën tjetër Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i zhvendosë zyret e kryetarëve dhe po ashtu ta tërheqë policinë nga objektet komunale.

Kurse Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, të martën e kaluar e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.