Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 7 dhjetor 2021, Foto: ZKM

Kurti u takua me presidenten e KE, diskutuan për integrimin evropian dhe liberalizimin e vizave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Kurti u prit nga Von del Leyen pas takimit të katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit në mes të BE-së dhe Kosovës.

“Kryeministri Kurti e njoftoi për reformat e ndërmarra në drejtësi, për angazhimet e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, luftën e pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit, si dhe reformat kyçe për zhvillim dhe përafrim me Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Kryeministri i vendit e njoftoi presidenten e Komisionit Evropian për rritjen ekonomike, rritjen e eksportit, të të hyrave tatimore dhe investimeve direkte në Kosovë.

Të pranishëm në takim ishin edhe zëvendëskryeministri për integrim evropian, zhvillim dhe dialog, Besnik Bislimi dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz.

“Kryeministri ia shprehu znj. Von der Leyen mirënjohjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbështetjen që Bashkimi Evropian ka dhënë për zhvillimin e vendit”, thuhet ndër të tjera.

Në këtë takim biseda është fokusuar në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, domosdoshmërinë për liberalizim të vizave dhe bashkëpunim në mes të vendeve të rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit.