Kryeministri Albin Kurti në takim me James O’Brien dhe Miroslav Lajçak, Foto: ZKM
Kurti u takua me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, James O'Brien dhe Lajçak në New York
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur Ndihmës Sekretarin për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien dhe emisarin e Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York, më 27.09.2024.
Kryeministrin Kurti në këtë takim me O’Brien dhe Lajçak e ka shoqëruar zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Sipas një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka diskutuar me O’Brien dhe Lajçak rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe për procesin e dialogut me Serbinë.
“Diskutuan rreth zhvillimeve të fundit në vend, krahas atyre në lidhje me procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian dhe bashkëpunimit rajonal në prag të samitit të radhës të Procesit të Berlinit, që do të shënojë gjithashtu 10-vjetorin jubilar të këtij procesi të rëndësishëm për integrimin e Ballkanit Perëndimor” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, më 27.09.2024.
Kurti ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e angazhuar maksimalisht edhe në vazhdimësi në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët e saj pa dallim dhe për krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë, në të cilin respektohen të drejtat e qytetarëve dhe ligjit të Republikës.
“Kryeministri Kurti gjithashtu nënvizoi përkushtimin e tij për bashkëpunim rajonal mbi parimet e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së barabartë në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin konstruktiv në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas parimeve të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e saj, që duhet të zbatohet e plotë” – kanë shtuar nga Zyra e Kryeministrit.
Dy krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Kurti janë duke qëndruar në Amerikë, pasi po marrin pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Presidentja Osmani ka një javë që po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Kurti ka udhëtuar të mërkurën, më 25.09.2024.