Kurti u premton kryetarëve të komunave rritje të buxhetit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në takimin me kryetarë të komunave të Kosovës ka thënë se takimet koordinuese me nivelit qendror dhe lokal janë ato që ka më së shumti përfaqësues të qytetarëve.

Kurti njoftoi se para tre javësh Komisioni i granteve ka miratuar ndarjen buxhetore, me ç’ rast buxheti i komunave për vitin tjetër do të jetë 742 milionë euro.

“Para tre javëve Komisioni i granteve mbajti një takim të rëndësishëm në të cilin u miratua ndarja e granteve për komuna për periudhën 2024-2026. Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin vlerën prej 742 milionë euro që i bie gati 200 milionë më shumë buxhet për komuna gjatë kësaj qeverisje se sa asaj të mëparshme që do të thotë qeveria lokale e ka vëmendjen e nivelit qendror”- tha ai.

Kreu u ekzekutivit tha se nga Asociacioni i Komunave të Kosovës janë listuar disa tema të cilat janë me rëndësi për nivelin lokal.

“Sot nga Asociacioni i Komunave janë listuar disa tema të cilat janë me rëndësi për nivelin lokal, që nga tatimi në pronë, pronat e administruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Agjencia e Pyjeve, e deri tek buxheti i komunave dhe procedurat e rekrutimit në shërbimin publik” – deklaroi Kurti.

Ndërkaq në fjalën e tij, kryetari i AKK-së dhe njëkohësisht i pari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se  një ndër temat më të diskutueshme në nivel lokal ka qenë ajo e tatimit në pronë dhe mundësia e faljes së 100 eurove.

“Nisur që nga çështja tejet e diksutueshme e tatimit në pronë si dhe mundësia e faljes së 100 eurove përmes ligjit, komunat janë gjendur në situata të pakëndshme karshi qytetarëve sepse dihet se një kompetencë e tillë nuk i takon komunave e ku përmes AKK-së me 30 janar 2023 u jemi drejtuar juve kryeministër dhe ministrit financave me kërkesën për pezullimin e vendimit të vitit 2022 për rivlerësim të pronave duke kërkuar që pagesa për tatimin në pronë të paguhet nga qytetarët sikur në vitin 2022”- është shprehur Aliu.

“Kryetarët e komunave përmes AKK-së kundërshtojnë bartjen e përgjegjësisë të faljes së tatimit në pronë tek komunat sepse kjo cenon të hyrat vetanake nga të cilat varen në masë të madhe projektet kapitale në komuna” – shtoi ai.

Aliu prezantoi edhe disa çështje tjera që siç u shpreh ai, janë me rëndësi për nivelin lokal, teksa shpreson se në takimin e ardhshëm me kryeministrin dhe kabinetin qeveritar, të gjitha ato të jenë të adresuara.

Takimi më pas ka vazhduar të zhvillohet i mbyllur për media.