Kurti u drejtohet qytetarëve: Qëndroni në shtëpi dhe mbroni të moshuarit!

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka vendosur që pas situatës së krijuar për shkak të coronavirusit, t’u drejtohet qytetarëve përmes një videoje.

Në këtë video kreu i ekzekutivit ka thënë që kjo është një kohë e pazakonshme prandaj edhe kanë marrë vendime të vështira.

“Sot rrugët e qyteteve janë kryesisht të zbrazëta, masën e vetizolimit po e ndjekim përgjithësisht, është situatë e përkohshme dhe do t’i kthehemi normalitetit”, ka thënë Kurti.

Kurti u ka kërkuar qytetarëve që në këtë kohë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre sepse është vendi më i sigurt për t’u mbrojtur.

“Në këto ditë vendi më i sigurt është shtëpia, pranë familjeve tona, ku na duan dhe kujdesen për ne, në shtëpi le ta ruajmë vetën dhe ta mbrojmë njëri-tjetrin, sidomos të moshuarit, e nëse dikush ka simptoma sado të lehta duhet të izolohet nga anëtaret e tjetër të familjes”, ka thënë ai.

Sipas Kurtit si kurrë me parë higjiena është shëndet e shëndeti është jetë.

Kurti i ka sugjeruar qytetarët që t’i pastrojnë duart të mbajnë distancën dhe evitojnë shtrëngimin e duarve.

“Jam shumë krenar me mobilizimin e të gjithëve për të parandaluar përhapjen e coronavirsit”, ka shtuar Kurti duke sugjeruar që kohën e lirë ta kalojnë duke lexuar libra e duke shikuar filma.

Kurti ka thënë që edhe kabineti qeveritar është duke punuar me staf të reduktuar.

“Ne në qeveri vazhdojmë të bëjmë punën me të njëjtën energji dhe vullnet por me staf të reduktuar pjesa më e madhe e tij punon nga shtëpia. Qeveria është me juve sepse shteti është për ju”’, ka theksuar Kurti.

Në Kosovë aktualisht janë 15 raste të coronavirusit. Rastet e identifikuara me coronavirus vijnë nga qytetet: Viti, Klinë, Podujevë, Prizren, Obiliq.