Foto: Albin Kurti, Facebook

Kurti u bën thirrje qytetarëve të kujdesen se si informohen për situatën në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po raporton në Kuvendin e Kosovës për zhvillimet e javës së fundit në 3 komunat veriore.

Duke folur për situatën atje, Kurti ka treguar se në Kosovë ka rritje të ndërhyrjeve të huaja në formën e fushatave të dezinformimit dhe keqinformimit.

Sipas Kurtit, ato fushata po organizohen nga disa aktorë, veçanërisht Kina dhe Rusia.

“Parlamenti Evropian në raportin për Kosovën në muajin që lamë pas, tek pjesa e demokracisë dhe sundimi i ligjit na u tha që është i shqetësuar për rritjen e ndërhyrjeve të huaja keqdashëse në formën e fushatave të dezinformimit dhe keqinformimit të organizuar nga disa aktorë veçanërisht Rusia dhe Kina”- ka deklaruar ai.

Kryeministri u ka bërë thirrje qytetarëve të kenë kujdes se ku, kur dhe si informohen duke i këshilluar të përcjellin komunikatat që lëshohen nga Policia e Kosovës.

“Andaj të gjithë qytetarët e Republikës, të gjithë zyrtarët e shtetit, të gjithë përfaqësuesit e popullit i lus të kenë kujdes ku, kur dhe si informohen. Përcillni komunikatat e Policisë së Republikës, aty i keni të vërtetën. Për gjendjen në terren, deklaratat që lëshohen nga organet tona të sigurisë janë ato që janë edhe të sakta edhe të vërteta”- theksoi Kurti.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të veçantë për situatën në veri të vendit dhe raportet e Kosovës me SHBA-në.

Nga e hëna serbët në veri janë duke protestuar për të kundërshtuar idenë që kryetarët e rinjë të ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale.

SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.

SHBA po kërkojnë nga qeveria që kryetarët e ti të mos ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale dhe policia e Kosovës të largohet nga ato ndërtesa.

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti kryetarët duhet të ushtrojnë detyrat nga zyrat e tyre, sepse sipas tij ‘Kosovës nuk i duhet sistem paralel’.

Dje, Presidentja Osmani ka takuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz si dhe ka mbajtur një takim ‘joformal’ me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Nga këto takime është propozuar ideja që në katër komunat veriore, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut të përsëriten zgjedhjet edhe njëherë.