Gabriel Escobar, Albin Kurti dhe Miroslav Lajçak në konferencë për media | Foto: ZKM

Kurti: U bëj thirrje qytetarëve të përkatësisë serbe t'i konvertojnë targat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar kërkesën e aleatëve për shtyrjen e implementimit të vendimit për targa. Kreu i ekzekutivit kosovar tha që do t’i dëgjojnë sugjerimet e aleatëve.

“Ne bëjmë më të mirën e mundshme duke mos e kursyer as kohën as dijen, këto nuk janë masa kundër serbëve, por janë masa për serbët. Nuk është hakmarrje, urrejtje apo inat, është zbatim i ligjit, rendit, janë vendimet qeveritare të cilët nuk i diskriminojnë njerëzit por dëshirojnë t’i bëjnë barabartë” – tha Kurti para gazetarëve.

“Përveç se respektohet ligji jemi të kujdesshëm të mos rrezikohet paqja dhe siguria andaj edhe kur partnerët, aleatët na japin sugjerime ne i marrim ato i marrim shumë seriozisht dhe i analizojmë më kujdes”, shtoi ai.

Kurti tha që është në komunikim të vazhdueshëm me aleatët për situatën në vend, duke thënë se nuk do t’i befasojnë.

“Unë jam vazhdimësi në komunikim me ministrin e Brendshëm. Jam në kontakt me komandantin e KFOR, ambasadorin, Departamentin amerikan të Shtetit, ne nuk duam asnjëherë që t’i befasojmë aleatët, miqtë tanë dhe partnerët ndërkombëtarë, ne duam t’i befasojmë kriminelët të cilët nuk i ndajmë sipas përkatësisë etnike”, tha ai.

Kurti tha që Kosova e ka shtyrë afatin njëherë, duke i bërë thirrje qytetarëve që në ditët e mbetura t’i konvertojnë tabelat.

“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit, nga 31 korrik për një muaj. Unë edhe njëherë i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që janë të përkatësisë serbe t’i konvertojnë targat. Mos të harrojmë që fushata vazhdon, ne po e vazhdojmë fushatën nëpër media, takime zyrtare publike, në mënyrë që targat RKS të shtohen dhe targat e tjerat të hiqen” – tha Kurti.

Afati për regjistrim është hapur nga data 1 tetor dhe do të jetë i hapur deri në fund të muajit, ani pse deri më tani janë regjistruar më pak se 20 automjete.

Ndërsa i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti shtyrjen për 10 muaj të vendimit.