Kurti tregon se çka sheh pozitive në marrëveshjen e Uashingtonit

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka vlerësuar si dokument të dëmshëm nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington në Shtëpinë e Bardhë.

“Ky është një dokument në të cilën marrëveshja për herë të parë është më e madhe se negociata. Këtu ka pasur edhe tema edhe çështje që janë në marrëveshje e s’kanë qenë në negociata, në përvojën time s’kam parë një dokument të tillë ku marrëveshja është më e madhe se negociata”, tha Kurti në “TVV”.

Për Kurtin, e vetmja gjë pozitive në këtë marrëveshje është njohja reciproke nga Izraeli.

“Pika e fundit për njohje reciproke nga Izraeli ishte një lloj lehtësimi pozitiv kur dëgjon gjithë ato pikat të mbrapshta ku Kosova humbet në çdo aspekt. Pra, njohja reciproke ishte pozitive dhe është për t’u përshëndetur”, shtoi kryetari i LVV-së.

Sipas tij, kjo marrëveshje me Serbinë është me keqe se në kohën e bisedimeve teknike.

“Fjala kufi nuk përmendet dhe kjo është më keq se në bisedimet teknike se në kohët e bisedimeve të Edita Tahirit, kjo është më poshtë se  aq meqenëse këto s’po ta bënë Serbia, por po ja bënë vetvetes”, shtoi kryetari i LVV-së.

Më 4 shtator, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik.