Kurti tregon parakushtet për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka zhvilluar një takim edhe me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Sipas një komunikate të Kryeministrisë, Presidenti Pahor u interesua të dijë më shumë rreth ecurisë së bisedimeve me Serbinë dhe tha se Sllovenia është e interesuar të shoh progres, “përkundër vështirësive bisedimet duhet të vazhdojnë”.

Ndërkaq, kryeministri Kurti e vlerësoi rolin e Sllovenisë në këtë proces si shumë të rëndësishëm dhe kërkoi mbështetjen e saj për të elaboruar rëndësinë e reflektimit të Serbisë për dëmet e shkaktuara, shkatërrimet dhe luftën, krimet e kryera në Kosovë.

“Ky është një parakusht për bisedime serioze dhe normalizim të marrëdhënieve”, tha ai, duke e ritheksuar si parësore vendosjen në qendër të bisedimeve të njohjes së ndërsjellë të Kosovës me Serbinë.

Kurti theksoi përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian, si dhe punën e Qeverisë në këtë drejtim. Ai kërkoi përkrahje nga Sllovenia për anëtarësimin në organizata dhe iniciativa ndërkombëtare.

Tutjet thuhet se kryeministri foli për përkushtimin e qeverisë në luftën kundër krimit e korrupsionit. Lidhur me masat e ndërmarra, ai theksoi se gjatë këtij viti policia ka realizuar rreth 500 operacione e rreth 900 bastisje dhe ka shkatërruar 41 grupe kriminale. “Nuk do të lejojmë asnjë individ apo grup të jetë më i fortë sesa shteti ligjor”, tha Kurti.

KALLXO.com raportoi sot edhe për takimin që mbajti paraprakisht presidenti slloven me homologen e tij Vjosa Osmani.

Osmani kërkon nga Pahor t’i bindë shtetet që po hezitojnë për liberalizimin e vizave