Kurti tregon cilat do të ishin dëmet sikur sulmi terrorist në Zubin Potok të arrinte qëllimin
Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media më 01.12.2024 kanë treguar për veprimet që janë ndërmarrë nga institucionet e Kosovës për të minimizuar dëmet nga sulmi terrorist i kryer më 29.11.2024 në zonën e Zubin Potokut kundër kanalit të ujit të Ibër-Lepencit.
Sipas kryeministrit, po të arrinte qëllimin e tij sulmi terrorist, dëmet do të ishin marramendëse, pasi, sipas tij, do të shkaktonte potencialisht për javë të tëra ndërprerjen e energjisë për gjysmën e Kosovës dhe ngrohjen për qytetarët e Prishtinës, e pa ujë do të mbeteshin qytetarët e disa komunave.
“Për javë të tëra do të ngeleshim pa energji elektrike. Dëmet direkte vetëm nga nevoja për importe do të ishin 2.5 milionë euro në ditë e 100 mijë të tjera për ujë. Dëmet ekonomike do të ishin të mëdha. Qëllimi ishte rrezikimi i sigurisë tonë kombëtare dhe dëmtimi i infrastrukturës kritike të vendit” – theksoi Kurti.
Kryeministri Kurti insistoi se ky sulm duket se ka lidhje me sulmet ajrore të Rusisë në Ukrainë që ishin të fokusuara në rrjetet e energjisë dhe infrastrukturës kritike.
“Janë gjetur emblema ushtarake ruse, dhe flamuj rus perandorakë. Serbia po i kopjon metodat ruse” – shtoi ai.
Kryeministri Kurti në konferencën për media ka kërkuar trysni nga faktori ndërkombëtarë ndaj Serbisë për t’ua dorëzuar Millan Radoiçiqin institucioneve të Kosovës.
“Qytetarët e Kosovës, si në jug si në veri, duhet të besojnë në institucionet e Kosovës. Është e qartë që liria e Millan Radoiçiqit në Serbi është një inkurajim për të tjerët që të kryejnë sulme. Serbia vazhdon të mbështesë grupet terroriste me armë e financa. Problemi kryesor është Millan Radoiçiq që nuk dorëzohet nga Serbia në Kosovë. Drastikisht do të binin gjasat e sulmeve në Kosovë nëse ai do të dorëzohej. Ne kërkojmë që të bëhet trysni nga faktorët ndërkombëtarë tek Beogradi zyrtar që të dorëzojnë atë në Kosovë, ky është problemi. Ne nuk e kemi imagjinuar që dikush don me e lënë Kosovën pa ujë, ngrohje e rrymë”- ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se më sigurt dhe më mirë do të ishte nëse në veri të vendit do të ishte prezente Forca e Sigurisë së Kosovës por që është duke respektuar marrëveshjen e ish kryeministrit Hashim Thaçi.
Ai tha se ndonëse nuk e ka mirëpritur e as pëlqyer një zotim i tillë ai do ta respektojë.
“Në veriun e Kosovës ne jemi të hendikepuar meqenëse ushtria jonë që nga zotimi i ish-kryeministrit nuk mund të shkojë në veri të Ibrit dhe atje nuk është situata si në pjesët e tjera të vendit tonë. Forca e Sigurisë së Kosovës është në vendet ku e kemi infrastrukturën kritike. Ne po e respektojme atë letër të pararendësit tim. As nuk e kam mirëpritur e as nuk më pelqen por e respektojmë atë zotim dhe në veri të Kosovës e kemi KFOR-in dhe Policinë e Kosovës. A do të ishte më mirë e më sigurt të ishte FSK në veri? Po! Do të ishte por e respektojmë zotimin e ish-pararendësit tim, Hashim Thaçi”- ka thënë Kurti në konferencën për media.
Në bazë të një marrëveshjeje e cila daton që nga viti 2013, e nënshkruar në atë kohë nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, drejtuar Sekretarit Gjeneral të NATO-s, Andres Fogh Rasmussen, kishte garantuar se Forcat e Sigurisë së Kosovës do të kenë mundësi që të ndërmarrin misione në veri të Kosovës vetëm në bashkëveprim me KFOR-in.
Pra, Forca e Sigurisë së Kosovës edhe pse shërben si institucion i sigurisë dhe detyrat e saj përfshijnë edhe pjesëmarrjen në operacionet e reagimit ndaj krizave, operacionet paqeruajtëse në raste të fatkeqësive të ndryshme, por edhe emergjencave, nuk mund të hyjnë në territorin e katër komunave me shumicë serbe pa pasur fillimisht një aprovim nga ana e NATO-s dhe KFOR-it.
Nga një shpërthim që ka ndodhur më 29.11.2024 është dëmtuar kanali i ujit i Ibër-Lepencit.
Shpërthimi terrorist është kryer në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut.
Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me këtë rast.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Lidhur me aktin terrorist, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 01:30 të mëngjesit të 30.11.2024.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.
Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.
Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit mund t’i lexoni Këtu.
Shënim: Artikulli është edituar, me ç’rast është përfshirë deklarata e kryeministrit edhe për çështjen e mosdërgimit të FSK-së në veri. Koha e editimit: 01.12.2024, ora 23:18.