Kurti thotë se po punojnë për të ndryshuar trendin e largimit të të rinjve nga Kosova

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një intervistë për gazetën zvicerane Tages-Anzeiger është pyetur për largimin e të rinjve nga Kosova.

Kurti është shprehur se janë duke punuar për të ndryshuar trendin.

“Sigurisht, për fat të keq është kështu. Ne po punojmë për të ndryshuar trendin”- u shpreh Kurti.

Gazetari zviceran Stephan Israel pyeti Kurtin nëse me liberalizim të vizave do përshpejtohet eksodi i të rinjve nga Kosova.

Lidhur me këtë, Kurti theksoi se njerëzit me arsim tashmë marrin viza pune dhe se Gjermania është tërheqëse për punëtorë.

“Njerëzit me arsim tashmë marrin viza pune. Gjermania është tërheqëse dhe e uritur për punëtorë. Kushdo që donte të shkonte e ka shfrytëzuar shansin e tij prej kohësh. Disa kthehen dhe më pas investojnë këtu. Por është e rëndësishme që vizitat familjare të bëhen më të lehta dhe njerëzit të mund të vizitojnë Evropën Perëndimore, pa pasur nevojë të shpenzojnë shumë para për një vizë”- u shpreh Kurti.

Lidhur me faktin nëse largimim i të rinjëve është problem për Kosovën edhe sa i përket fuqisë punëtore, Kurti tha se tregut të Kosovë i mungojnë punëtorë profesionistë të trajnuar, andaj do zbatojnë sistem dual të arsimit si në Zvicër dhe  Gjermani.

“Është një problem i madh. Ne kemi shumë juristë dhe politologë që duan të bëhen diplomatë. Por ne kemi vetëm 30 ambasada. Si mund t’i akomodojmë të gjithë këta diplomatë? Ajo që i mungon tregut tonë janë, për shembull, kuzhinierë të trajnuar, muratorë apo floktarë. Kjo është arsyeja pse ne po punojmë për të zbatuar një sistem dual të arsimit si në Zvicër apo Gjermani”- shtoi Kurti.