Kurti thotë se nuk mund ta kontrollojnë inflacionin: Është i importuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar ngritjen e çmimeve në Kosovë, duke thënë se lufta Rusi – Ukrainë ka ndikuar edhe në Kosovë, ku ka pasur ngritje të çmimeve të shumë produkteve.

“Është evidente se kemi rritje të çmimeve në përgjithësi e posaçërisht të atyre të produkteve të konsumit”, tha ai.

“Ukraina ka eksportuar grurë dhe vaj luledielli në botë, lufta në Ukrainë pas sulmit rus atje ka shkaktuar uljen e furnizimit gjersa sanksionet ekonomike e ndalojnë Rusinë të shesë produkte të naftës në Evropë. Kjo ulje e ofertës krahas edhe rritjes së kërkesës pas daljes nga pandemia COVID-19 natyrshëm ka ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës dhe produkteve tjera esenciale”, ka vijuar ai.

Sipas Kurtit, Kosova nuk është i vetmi vend që po përballet me rritjen e çmimeve.

“Kosova nuk është e vetme në këtë situatë të rritjes së çmimeve, çmimet janë rritur globalisht edhe për shkak të kufizimeve në zingjirin e furnizimit. Pra kryesisht kemi të bëjmë me inflacion të importuar të cilin ne si qeveri nuk është se kemi ndonjë mënyrë kontrolli apo ndikimi”, shtoi i pari i qeverisë.

Sipas tij, qeveria ka bërë maksimumin që të sigurohet se po i marrin masat e nevojshme për t’i arritur tri qëllime kryesore.

“E para, të parandalojmë presionet inflacionare të brendshme për aq sa mundemi. E dyta, të mbështesim ata që kanë më së shumti nevojë dhe e treta, të marrim masa kundër tregtarëve spekulantë që tentojnë të shfrytëzojnë këtë krizë për të trashur fitimet e tyre”, tha në mes tjerash Kurti.