Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti thotë se ndërkombëtarët i kanë njohur zgjedhjet, kryetarët duhet të shkojnë në komuna

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti teksa ka folur për situatën në katër komunat në veri të Kosovës, ka thënë se të gjithë faktorët ndërkombëtarë i kanë njohur zgjedhjet për kryetar të këtyre komunave të mbajtura më 23 prill.

Sipas Kurtit “Kur e njeh procesin dhe rezultatet, atëherë kryetarët duhet të shkojnë në komuna”.

“Të gjithë faktorët ndërkombëtarë i kanë njohur zgjedhjet që janë mbajtur më 23 prill. Kur e njeh procesin dhe rezultatet, atëherë kryetarët duhet të shkojnë në komuna. Kush tjetër duhet të jetë aty, nëse jo kryetarët. Po punojmë ngushtë me faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në e BE-në, që i konsiderojmë aleatë shumë të vlefshëm, e partnerë. Do të bëjmë më të mirën”- ka thënë Kurti për CNN.

I pyetur pse e dërgoi Policinë në komunat veriore, Kurti ka thënë se policë ka në secilën komunë.

Por, ai ka thënë se do të ketë numër më të madh përderisa “jashtë ndërtesa ka banditë të dhunshëm”.

“Dua të kem policë që mbrojnë sundimin e ligjit, e mbajnë rendin. Komunat duhet të jenë për të gjithë, jo për struktura paralele të Serbisë”- deklaroi Kurti.

Kurti për CNN: S’do ta dorëzoj Republikën demokratike te milicia fashiste

Katër komunat e veriut të Kosovës që nga e premtja e javës së kaluar janë në një gjendje të tensionuar të sigurisë.

Serbë lokal po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Gjatë së hënës, protestuesit serb u përplasën me ushtarë të KFOR-it. Misioni i NATO-s në Kosovë konfirmoi se tre ushtarë u plagosën nga arma e zjarrit ndërsa 30 të tjerë të lënduar.

Zhvillimet e fundit në veri