Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti thotë se Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku po flasin si aktivistë të dorëhequr të LVV-së

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, teksa iu është përgjigjur kritikave të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ata po flasin si aktivistë të dorëhequr të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti ka thënë se po i kujtohet deklarata ministrit të jashtëm nga LDK-ja, Skënder Hyseni, që sipas Kurtit ka thënë se “deputeti Abdixhiku është Vetëvendosje në LDK”.

“Deputeti Krasniqi e deputeti Abdixhiku po flasin si me qenë aktivistë të Vetëvendosjes që kanë dhënë dorëheqje, për besë nuk di si ta shpjegoj ndryshe këtë diskurs, pra sikur të ishin aktivistë të Vetëvendosjes që kanë dhënë dorëheqje e janë të pakënaqur me kryetarin, po më duket vetja si në Këshill të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, por ky është Kuvendi i Kosovës, e ju jeni PDK e LDK” – tha Kurti.

Ai ka sugjeruar krerët opozitarë të prezantojnë vizion e ide.

Kurti tutje teksa ka folur për dialogun Kosovë – Serbi ka thënë se nga koha kur serbët me zell i nënshkruanin marrëveshjet, tash ata po refuzojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

“Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 me shumë zell i patën nënshkruar Vuçiqi e Daçiqi, ata tash po ikin prej nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje bazë, a dikur vraponin për të nënshkruar me ju. Pra nga vrapimi për të nënshkruar me juve, kemi ardhur në fazën ku ikin prej meje, sepse nuk duan të nënshkruajnë” – ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se deklaratat se vetë-menaxhimi është vetëvendosje nuk janë të vërteta.

“39 marrëveshje janë realizuar gjithsej pse nuk ishte njohja reciproke në asnjërën prej tyre. Nëse keni dialoguar mirë si u bë që asnjëra asnjëherë se pati njohjen reciproke. Më 2019 ish-presidenti Donald Trump kërkoi njohje reciproke pse nuk e bëtë. Këtu u tha vetë-menaxhimi është vetëvendosje nuk është e vërtetë. Përveç që s’është as vetëvendosje, nuk është as vetëqeverisje”- ka thënë Kurti.

Kryeministri i vendit po raporton sot në seancë të Kuvendit të Kosovës për takimin e Ohrit mes tij dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria e Kosovës e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.