Kurti thotë se është i angazhuar që në orët e mbetura të arrihet zgjidhja për targat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar në lidhje me takimin e djeshëm në Bruksel dhe me vendimin për shtyrje për 48 orë të fillimit të shqiptimit të gjobave për pronarët e veturave me targa ilegale.

Kurti ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ambasadori amerikan, Jeffery Hovenier janë në kontakt me Brukselin për të gjetur një zgjidhje.

“SHBA sidomos ambasadori Jeffery Hovenier është shumë i përkushtuar dhe i angazhuar dhe unë e falënderoj për këtë. Roli i tij është gjithmonë konstruktiv, pozitiv e kreativ. Tash ai po i bën përpjekjet maksimale pra SHBA e sidomos ambasadori Hovenier. Ata janë në kontakt me Brukselin”- tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit u shpreh se po përpiqet maksimalisht për një dakordim dhe se për këtë i nevojitet mbështetja vendore e ndërkombëtare.

“Përpjekjet i kemi maksimale dhe na nevojitet e gjithë mbështetja vendore e ndërkombëtare për këto përpjekje që brenda 48 orëve të vijmë me një dakordim. Nuk e kam asnjë sekond të mendoj se si kjo mund të mos ketë sukses. Që të gjithë janë të angazhuar të kenë sukses, prandaj sot nuk është koha të flasim për shtyrje të tjera e për dështime që mund të ndodhin”- theksoi Kurti.

Ai shtoi se tashmë për këto çështje janë duke u diskutuar nga Brukseli dhe Uashingtoni dhe se me të dyjat është në kontakt të shpeshtë.

“Tash janë duke diskutuar Brukseli dhe Uashingtoni dhe unë besoj që shumë shpejtë do të mund të marrim vesh. Jam në kontakt të shpeshtë me të dyja, SHBA-në dhe BE. Nuk është diçka që duhet të presim me javë sepse e kemi ditën e sotme dhe ditën e nesërme. Gjobijta nuk është diçka që e dëshiron Kosova, mirëpo targat ilegale janë ilegale janë të paligjshme. Nuk gjobisim askënd me kënaqësi por, me detyrë”- tha mes tjerash Kurti.

Takimi i djeshëm mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel rezultoi pa marrëveshje për çështjen e targave.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta shtyjë për 48 orë fillimin e shqiptimit të gjobave, kërkesë të së cilës kryeministri, Albin Kurti iu përgjigj pozitivisht.