Kurti thotë se e diskutoi me homologun maqedonas arrestimin e ish ushtarit të UÇK-së

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në takimin me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski, e ka diskutuar edhe çështjen e arrestimit të ish ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, ditë më parë në shtetin maqedonas, me fletëarrest të lëshuar nga Serbia.

Kurti tha se ministrat përkatës të drejtësisë do të jenë në kontakt të drejtpërdrejt dhe se është optimist për të ardhmen.

“Ministrat respektiv të drejtësisë do të jenë në kontakt të drejtpërdrejt dhe të vazhdueshëm. Gjithçka do të shkojë në funksion të vlerës së përgjithshme që bazohet në ligj e kushtetutë, në procedurat dhe rregullat në të dyja vendet por gjithashtu edhe në kuadër të marrëdhënieve të mira fqinjësore” – tha Kurti.

“Nuk ka çështje ose temë të rëndësishme që nuk e kem diskutuar. Unë jam optimist për të ardhmen, nuk është rasti i parë që na ndodhë kjo dhe besojë që aktgjykimet e Gjykatave në Maqedoni të Veriut nga e kaluara tregojnë qartë rrugën që do të ecim në të ardhmen”.

Ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, i ishte  caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, me vendim të Gjykatës Themelore në Shkup.

Blerim Ramadani, ish-anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të UÇK-së, ishte arrestuar më 17.07.2024 nga Policia e Maqedonisë së Veriut bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia.

Kurti në Shkup: Do të ketë raport zyrtar që do të zbardhë çështjen me presidenten Osmani