Kurti thotë se do të mbështeten mbi 6 mijë familje për ta rritur efiçiencën e energjisë

Gjatë javëve në vijim, Ministria e Ekonomisë dhe Fondi Kosovar për Efiçiencë të Energjisë do të hapin thirrje për subvencione direkte për të ndihmuar familjet që të investojnë në ngritje të efiçiencës së energjisë në shtëpitë e banesat e tyre.

Kështu ka bërë të ditur përmes një video-mesazhi kryeministri Albin Kurti.

Ai ka thënë se përmes këtyre masave synohet mbështetja e 1,300 familjeve për të bërë investime që rrisin efiçiencën energjetike të shtëpive.

“Përmes këtyre masave synojmë t’i përkrahim 1 mijë e 300 familje për të bërë investime të cilat rrisin efiçiencën energjike të shtëpive, sikurse izolimi ose ndërrimi i dritareve dhe 5 mijë familje për të blerë pajisje efiçiente për ngrohje si kalda e stufa me biomasë, kondicionerë efiçientë e pompa termike. Kështu po angazhohemi që ju qytetarë të keni sa më pak shpenzime për energji e të mbani shtëpinë tuaja të ngrohta gjatë dimrit e të freskëta gjatë verës”- tha Kurti përmes video-mesazhit.

Kurti tha se këto thirrje do të hapen përmes platformës e-kosova dhe ka ftuar qytetarët që të hapin llogari për të përfituar.

Ai tha se Ministria e Ekonomisë dhe Fondi Kosovar për Efiçiencë të Energjisë do të publikojnë të gjitha informacionet e nevojshme ditëve në vijim në ueb-faqet e tyre.