Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti - 05.08.2024 Foto: ZKM

Kurti thotë që duhet të flitet për kushtet e tij, e masat e Vuçiqit i cilëson si ‘fushatë agresive për konflikte të reja’

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas katër ditësh që nga prezantimi i masave nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq ndaj Kosovës, i ka komentuar ato masa, duke i quajtur “pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja”.

Shefi i ekzekutivit kosovar, në pyetjen e gazetarëve për këto masa, fillimisht këmbënguli që së pari të flitet për tri kushtet që i ka vendosur ai si kryeministër i Kosovës, që ndryshe prej të atyre të Vuçiqit, i quan paqësore dhe racionale.

Kurti tha se kushtet e tij janë dorëzimi në autoritetet kosovare i Millan Radojiçiqit; nënshkrimi i Marrëveshjes dhe është gjithashtu tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq për të cilën Kurti tha se ajo nuk pranon “as pavarësinë e Kosovës, as ulësen në OKB për Kosovën dhe as nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”.

“Ato tri kushte janë paqësore dhe racionale. Ndërkaq ato kërkesat e tij; masat e tij bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin jo-racionalitet e nuk janë aspak paqësore, por përkundrazi pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që pa dyshim nuk kanë vend as në Kosovë” – ka thënë Kurti për media më 17.09.2024.

Në pyetjet e drejtuara nga KALLXO.com, pas deklaratave të Vuçiqit, zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano është përgjigjur “se e vërejnë pozitivisht thirrjen për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet në Kosovë dhe riintegrimin e serbëve të Kosovës në të gjitha institucionet e Kosovës që ata u larguan në vitin 2022”.

“BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Beogradit që të inkurajojë dhe Prishtinës që të mundësojë riintegrimin e serbëve të Kosovës” – tha Stano.

Gjatë adresimit të tij më 13 shtator presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.

Para adresimit të tij, pati reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se “Kosova është më e fortë se kurrë më parë dhe nuk trembet nga kërcënimet”.

Ndërkaq, Stano tha se mundësia e parë për ri-angazhim është takimi i ardhshëm i kryenegociatorëve në Bruksel më 17 shtator 2024.

“Bashkimi Evropian do të vazhdojë të qëndrojë pranë popullit të Kosovës dhe Serbisë në aspiratat e tyre përkatëse për anëtarësim në Bashkimin Evropian”- deklaroi Stano.

Kurti dhe Vuçiq për herë të fundit u takuan më 14.09.2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.

BE e sheh me sy pozitiv një kërkesë të Vuçiqit, Kosovës ia përmend sërish Asociacionin