Kurti: Thellimi i bashkëpunimit me Italinë, pjesë e agjendës e qeverisë së re

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti sot ka bërë një vizitë në Romë.

Me këtë rast, Kurti ka takuar drejtorin e Përgjithshëm për Bashkimin Evropian, Vincenzo Celeste, dhe Drejtorin për Ballkanin Perëndimor, Andrea Cascone.

Këtë e ka bërë të ditur ai përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se i ka falenderuar atapër rolin, përkrahjen dhe ndihmën e Italisë për Kosovën.

“Diskutuam për marrëdhëniet ndërmjet shteteve në rajonin tonë, për sfidat e qeverisjes sonë të ardhshme dhe mbështetjen që mund të japë Italia, si dhe për sforcimin e integrimit evropian si forcë demokratizuese. Thellimi i bashkëpunimit me fqinjin më të madh të Ballkanit perëndimor dhe me popullin mik italian do të jenë në agjendë të qeverisë sonë të re”, ka thënë në fund Kurti.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje doli e para e pasuar nga LDK-ja.

Këto dy parti janë dakorduar parimisht për formimin e koalicionit, mirëpo përveç harmonizimit të programit, marrëveshja për koalicion nuk është duke u nënshkruar për shkak të mosmarrëveshjeve që këto dy parti kanë për postin e presidentit si dhe ndarjen e ministrive.

Kurse sot, diplomatët e BE-së kanë kërkuar formimin e shpejtë të qeverisë.