Takimi Thaçi - Kurti - 13.03.2020

Kurti: Thaçi do të duhej të intervistohej nga prokuroria, së paku si dëshmitar

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se presidenti i vendit Hashim Thaçi do të duhet të intervistohej nga Prokuroria e Shtetit, së paku si dëshmitar.

Ky reagim i Kurtit vjen pasi, presidenti së fundi presidenti e ka akuzuar kryeministrin në detyrë, se e ka sajuar kërcënimin ndaj tij, nga një organizatë që veten e quan “Garda Vullnetare Shqiptare”.

Presidenti meqë ka informacione të tilla do të duhej të intervistohej nga prokurori i shtetit, së paku si dëshmitar. Pra meqë paska informacione të tilla, atëherë ai duhet t’i ndihmojë organet e drejtësisë që ta zbardhin këtë kërcënim me vdekje ndaj meje, i cili po e theksoj që mua nuk më bën përshtypje, por më shumë ka të bëjë me frikësimin e njerëzve të tjerë në këtë krizë institucionale përderisa jemi në pritje të aktjgykimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Kurti sot para gazetarëve.

Aktgjykimi i Kushtetueses lidhur me dekretin e presidentit për ta mandatuar Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër, sipas Kurtit është tejet i rëndësishëm.

“Mbase është vendimi më i rëndësishëm i këtyre gjyqtarëve dhe unë dua të besoj se ata do të bëjnë vlerësim në mënyrë profesionale, të pavarur e të paanshmë. Nuk bëhet fjalë për kurrfarë cenimi nga ana  ime përkundrazi unë jam i interesuarq ë ata të mbrohem maksimalisht në mënyrë që të punojnë të qetë dhe profesionalisht”, tha ai.

Kurse, Thaçi kishte deklaruar se ka kërkuar nga institucionet e sigurisë për të kuptuar se a ekziston një organizatë e tillë.

“Mendoj se është një nxitim nga ana e tij në formulimin e këtij postimi. Unë jam konsultuar me të gjitha organet e sigurisë në Kosovë, një organizatë e tillë nuk funksion. Është fiktive. Unë kam pranuar të dhëna zyrtare nga institucionet e Kosovës”, tha presidenti Thaçi në intervistën dhënë në Klan Kosova.