
Foto: Shqipron Xhema/KALLXO.com
Kurti tha se Prokuroria është e interesuar që të mbushë ballinat e ndonjë “portali të oligarkut”, reagon AGK
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar gjuhën që ka përdorur kryeministri Albin Kurti gjatë një deklarimi që ka bërë sot, më 04.03.2025, në Gjilan, në lidhje me mosparaqitjen e tij në Prokurorinë Speciale në cilësinë e dëshmitarit.
“Shtrohet pyetja pse i humb Prokuroria tre muaj? Për bindjen time të fuqishme, sepse është më shumë e interesuar që të mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarkut, sesa të sjellë drejtësi.” – ka deklaruar ndër të tjera Kurti.
Këtë gjuhë, AGK-ja e ka cilësuar si “sulm i përsëritur ndaj mediave”.
“AGK-ja e dënon këtë gjuhë të Kryeministrit në detyrë dhe rithekson se një retorikë e tillë është e papranueshme, rrezikon gazetarët dhe mediet, si dhe minon lirinë e medias dhe shprehjes në Kosovë.” – shkruan në reagimin e tyre.
Kurti nuk ka shkuar të dëshmojë në orën 10:00, në Prokurorinë Speciale, por në atëkohë ka qenë në Gjilan për vënien e gurthemelit të një Çerdheje.
Pjesëmarrja e tij në Gjilan të martën është paralajmëruar zyrtarisht, e për dhënien e dëshmisë, i pari i Qeverisë kishte ftuar prokurorët t’i shkonin në Zyrën e tij – duke thënë se vetë ai nuk do të paraqitej në objektin e Prokurorisë Speciale.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHTI) në orën 14:13, më 03.03.2025, njoftoi përmes një komunikate për media, se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni do të vendosin gurthemelin e Çerdhes së re në Gjilan, në lagjen “Livadhet e Arapit”.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte bërë të ditur për KALLXO.com më 28.02.2025 se ka obliguar Kurtin që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, me po këtë datë – lidhur me rastin e rezervave shtetërore.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me Urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, më 21.02.2025, ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij më 04.03.2025, në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.” – shkruan në përgjigjen e Gjykatës.
Kurti është urdhëruar që dëshminë ta japë me këtë datë pas Vendimit të Gjykatës, më 21.02.2025, e cila e ka aprovuar Kërkesën e Prokurorisë që ta urdhërojë Kryeministrin e vendit që të paraqitet para objektit të PSRK-së.