Kurti: Të pagjeturit duhet të jenë çështja e parë në dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se çështja e të pagjeturve në Kosovë duhet të jetë tema e parë në negociatat e ardhshme Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se drejtësia e munguar e bën çështjen e të pagjeturve si krim të vazhdueshëm.

“Sot pasdite bisedova me zonjën Ferdonije Qerkezi nga Gjakova, në ditën që u mbushën 21 vjet prej kur forcat policore të Serbisë ia rrëmbyen katër djemtë dhe burrin: Artanin, Edmondin, Armendin, Ardianin dhe Halimin. Eshtrat e Artanit e Edmondit janë kthyer në vitin 2005. Asgjë nuk dihet sot e kësaj dite për fatin e tre të tjerëve”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Të pagjeturit janë plagë që kullon ankth. Dhembjet e vuajtjet e nënës Ferdonije sigurisht që ne s’arrijmë t’i marrim me mend. Ky është një krim i vazhdueshëm pasi që është drejtësi e munguar. Të pagjeturit duhet të jenë çështja e parë në dialogun e ardhshëm Kosovë – Serbi”, thuhet në postimin e tij.