Foto: ZKM

Kurti takon shefin e OSBE-së në Kosovë, diskutojnë për veriun dhe lajmet e rreme

Rritja e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ishte në qendër të takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorit Michael Davenport.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Qeveria, kryeministri Kurti dhe ambasadori Davenport folën për bashkëpunimin me qëllim të shtimit të komunikimit me qytetarët nga të gjitha komunitetet, si dhe për luftimin e keqinformimit dhe lajmeve të rreme.

Në këtë takim u bisedua edhe për zhvillimet e fundit në vend në fushën e sundimit të ligjit.

Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për zbatim të vendimeve për targat e automjeteve të regjistruara në Serbi (me akronimet e qyteteve të Kosovës) dhe reciprociteti me dokumentet serbe të udhëtimit nga 1 gushti.

Sipas vendimit të Qeverisë, pronarët e automjeteve me targa të tilla duhet t’i regjistrojnë me targa zyrtare të Kosovës – RKS.

Po ashtu, të gjithë shtetasit serbë, do të duhet të pajisjen me një dokument për hyrje/dalje në pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011.

Mirëpo ky vendim i Qeverisë bëri që serbët në shenjë proteste të bllokojnë rrugët në veri të vendit.

Me qellim të uljes së tensioneve, Qeveria vendosi që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet për 1 shtator.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar po ashtu një shtyrje të tillë, ndonëse kanë thënë se Kosova ka të drejtë të zbatojë këto vendime.