Kurti takon shefin e EULEX-it, diskutojnë detajet për ardhjen e 92 pjesëtarëve të xhandarmërisë

Vendosja e përkohshme në Kosovë e njësisë policore të specializuar rezervë të forcës policore shumëkombëshe, Forca Evropiane e Xhandarmërisë (EUROGENDFOR), ishte tema e takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti me shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Lars Gunnar Wigemark.

Kështu është bërë e ditur në komunikatën për media të Zyrës së Kryeministrit.

“Kjo njësi e përbërë prej 92 pjesëtarëve nga Portugalia (42), Franca (28) dhe Italia (22),  që do të zbarkojë përkohësisht në Kosovë gjatë javëve në vijim, do të përforcojë kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it (NjPS) dhe do të mbështesë EULEX-in për përmbushjen e detyrave, si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse është e nevojshme, duke pasur parasysh mjedisin e sigurisë”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, bëhet e ditur se është  biseduar edhe për situatën aktuale në Kosovë dhe për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe misionit EULEX në fushën e sundimit të ligjit.

Sipas komunikatës, kryeministri Kurti ka ritheksuar vendosmërinë e Qeverisë dhe përkushtimin institucional për të forcuar e avancuar sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit e korrupsionit.

Ndërsa Wigemark ka rikonfirmuar përkushtimin dhe gatishmërinë e misionit EULEX për vazhdimin e përkrahjes për institucionet për forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë dhe mbështetjes së stabilitetit të Kosovës dhe për të kontribuar në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë.​

Sot EULEX ka bërë të ditur se një njësi policore e specializuar rezervë e përbërë prej 92 pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR) nga Portugalia, Franca dhe Italia do të zbarkojë përkohësisht në Kosovë gjatë javëve në vijim për të përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it (NjPS).

EULEX do të përforcohet me rreth 100 pjesëtarë të xhandarmerisë (kallxo.com)