Albin Kurti dhe Alice Albright - Foto: ZKM

Kurti takon Shefen Ekzekutive të MCC-së, diskutojnë për zbatimin e marrëveshjes në vlerë 236 milionë dollarë

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë pritur në takim Shefen Ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright, e shoqëruar nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Sipas komunikatës së ZKM-së, Kurti e ka falënderuar Albright për bashkëpunimin e deritanishëm duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e tij drejt zbatimit sa më shpejt të Programit Kompakt në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në korrik të këtij viti.

“Marrëveshja me MCC-në për Programin Kompakt vjen në një moment kritik. Republika e Kosovës synon një ekonomi të orientuar kah eksporti dhe rritje të kapaciteteve të energjisë së ripërtritshme. Për të dy këto, Programi Kompakt dhe MCC-ja janë shumë të rëndësishme” – citohet të ketë thënë Kurti.

Sipas komunikatës, Shefja Ekzekutive e MCC-së, Alice Albright, është shprehur falënderuese për ratifikimin e shpejtë të marrëveshjes në Kuvend, duke dhënë gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të afërt drejt zbatimit sa më të shpejtë të saj.

‘Ajo tha se Programi Kompakt është projekt afatgjatë për Kosovën, me prioritet edhe për vetë MCC-në’ – thuhet tutje në komunikatë.

Ky takim u zhvillua në kuadër të vizitës së znj. Albright në Kosovë. Vizita e saj vjen pas nënshkrimit të marrëveshjes për Programin Kompakt ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), me vlerë 236.7 milionë dollarë.

Ai përbën investimin më të madh dhe më inovativ në sektorin e energjisë në Kosovë deri më sot dhe do të kontribuojë në sigurinë energjetike të vendit.

Programi Kompakt përfshin tri projekte:1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë prej 340 MWh, 2. Zhvillimin e fuqisë punëtore, me theks të veçantë në përfshirjen e grave në sektor të energjisë, si dhe 3. Projektin e Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim, i cili ka për qëllim të nxisë financimin e sektorit privat nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Investimet e Programit Kompakt do të jenë në pronësi të Republikës së Kosovës dhe shënojnë një nga bashkëpunimet më të rëndësishme zhvillimore në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Qeveria themelon grupin punues për përmbushjen e parakushteve për marrëveshjen me MCC-në