Albin Kurti takon në Prishtinë ish-kampionin olimpik në mundje, Shaban Tërstenen | Foto: ZKM
Kurti takon në Prishtinë ish-kampionin olimpik në mundje, Shaban Tërstenën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar për drekë ish kampionin olimpik, Shaban Tërstenën.
Shaban Tërstena është sportisti i parë shqiptar që ka fituar medalje të artë në Lojërat Olimpike, kur 40 vjet më parë, në Los Angeles në kategorinë deri në 52kg në sportin e mundjes, si 19-vjeçar kishte fituar medalje të artë olimpike.
“Erdhi nga Shkupi. Si atje, si në Prishtinë, Shaban Tërstena është njëri nga sportistët më të mëdhenj e më të stolisur shqiptar” – ka shkruar kryeministri Kurti në Facebook.
“Gjatë bisedës tregoi se si trajnerët e zbuluan talentin e tij qysh në moshë të hershme, duke e shtyrë atë që si i ri të përballej me kundërshtarë në moshë shumë më të madhe se ai. Fuqia dhe pjekuria e tij e parakohshme, e bëri atë që të fitojë medalje botërore kur i kishte vetëm 17 vjeç. Ndërkohë nuk munguan as titujt kampion të Evropës.” – ka shkruar tutje Kurti.
Përveç medaljes olimpike, Tërstena ka edhe një medalje Botërore, shtatë Evropiane dhe tri të arta të njëpasnjëshme në Lojërat Mesdhetare 1983, 1987 dhe 1991.
Në takim me sportin Tërstena, Kurti ka folur edhe për organizimin e lojërave mesdhetare 2030 që do të organizohen në Kosovë.