Kurti takon ministrin për Europë të Francës, flasin për procesin integrues të Kosovës
Kryeministri Albin Kurti është takuar me ministrin për Europë të Francës, Benjamin Haddad, para nisjes së Forumit Ekonomik të Kosovës në Paris.
Zyra e Kryeministrit njofton se Kurti dhe Haddad diskutuan mbi thellimin e bashkëpunimit veçanërisht në sferën ekonomike, në kuadër edhe të forumit të sotëm [18.10.2024], si “një mundësi e mirë për më shumë shkëmbime, bashkëpunime e investime mes kompanive të dy vendeve tona”.
Ndër tjera, thuhet se gjatë bisedës u trajtua edhe rrugëtimi i procesit të integrimit evropian të Kosovës.
Në fokus ishin dhe çështjet rajonale me theks në bashkëpunimin rajonal.
“Kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Haddad për mbështetjen e tij të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe bashkëbisedimin e takimin e sotëm. Prezent në takim ishte dhe i dërguari special i Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Trocaz”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Kurti, mbrëmë ka zhvilluar një takim me mërgatën në Paris.
Para Francës, ai ka zhvilluar një sërë takimesh me bashkatdhetarët në Gjermani.
Para nisjes së Samitit të Berlinit, Kurti ka marrë pjesë në tubimet e organizuara në Munih, Shtutgart, Këln dhe Berlin.
Në këto takime kanë munguar simbolet e shtetit të Kosovës, për çka kryeministri është kritikuar nga njohës të politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.