Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed bin Sultan Al Nahyan. Foto: ZKM
Kurti takon Ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, ftoi kompanitë arabe të investojnë në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed bin Sultan Al Nahyan, në New York, të shtunën më 28.09.2024.
Ata kanë folur për fuqizimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti i ka ftuar kompanitë arabe që të vijnë ta njohin Kosovën më gjerësisht e të investojnë në fusha me interes të përbashkët.
Shefi i Qeverisë ka folur për avantazhet që Kosova ofron si destinacion i përshtatshëm dhe i volitshëm për investime dhe për ambientin e të bërit biznes.
“Ai e njohu Zëvendëskryeministrin e njëherësh Ministrin e Punëve të Jashtme, Abdullah bin Zayed bin Sultan Al Nahyan, edhe me përpjekjet e avancimin e shtetit tonë drejt energjisë së gjelbër e të ripërtërishtme, veçanërisht ankandin e suksesshëm të zhvilluar e ato të ardhshme që priten këtë vit, si një mundësi e mirë për investitorët” – thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.
Kryeministri Kurti është duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.