Kurti takon menaxhmentin e Policisë, i falënderon për punën në veri

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim menaxhmentin e Policisë së Kosovës me në krye me drejtorin e përgjithshëm, Samedin Mehmetin, të cilët i ka falënderuar për punën e suksesshme në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë.

“Kryeministri Kurti falënderoi dhe u shprehu mirënjohje të gjithë punonjësve të Policisë së Kosovës, të cilët me angazhimet e tyre për 13 ditë me radhë treguan sjellje profesionale, përkushtim të pashoq për mbrojtjen e vendkalimeve dhe policëve kufitarë që po zbatojnë reciprocitetin e targave të automjeteve, si dhe dëshmuan se Policia e Kosovës është e ndërtuar sipas standardeve evropiane, në shërbim të vendit dhe qytetarëve të saj”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Sipas Kurtit, me ‘këtë vetëmohim e qëndrim profesional në çdo veprim të çdo punonjësi të Policisë së Kosovës, u vërtetua se ndër objektivat kyçe të Policisë së Kosovës mbetet zbatimi i ligjit, ruajtja e rendit e qetësisë publike dhe lëvizjes së lirë, duke garantuar kufij të hapur, mirë të kontrolluar dhe të sigurtë’.

Tutje, sipas komunikatës, Kurti ka falënderuar policët që nuk kanë rënë pre e provokimeve të ndryshme.

“Ai e vlerësoi lartë punën, angazhimin dhe përkushtimin maksimal, sidomos të Njësisë Speciale të Kosovës, e cila me sjelljen e dinjitetshme përkundër provokimeve të lloj-llojshme, dëshmoi se është profesionale dhe e gatshme të mbrojë sovranitetin e shtetit dhe të ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë, pa dallim”, thuhet në komunikatë.

Në takim ishin të pranishëm zëvendësdrejtori i përgjithshëm për operativë, Fehmi Hoti, drejtori i Departamentit për operacione, Gazmend Hoxha, u.d. drejtori i Departamentit për Kufi, Ragip Bunjaku dhe zyrtarë të njësiteve speciale të Policisë së Kosovës.

Dje, Njësia Speciale e Kosovës në Bërnjak dhe Jarinjë është zëvendësuar nga trupat e KFOR-it dhe janë hequr barrikadat e qytetarëve serbë, të cilët protestonin për më shumë se 10 ditë kundër masës së reciprocitetit të Qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë për targat e automjeteve.

Ky ishte dakordimi i marrëveshjes së nënshkruar të enjten mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.