Kryeministri Albin Kurti e komandanti i KFOR-it, Ferenc Kajari - Foto: ZKM

Kurti takon komandantin e KFOR-it, diskutojnë për sigurinë

Bashkëpunimi i afërt ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), përbrenda mandateve që kanë, ishin në qendër të takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe komandantit të KFOR-it, gjeneral major Ferenc Kajari.

Siç bëhet e ditur në komunikatën për media të Qeverisë në këtë takim është theksuar rëndësia e KFOR-it në sigurimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë.

“Kryeministri Kurti theksoi domosdoshmërinë e përcjelljes së mesazheve të qarta për veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend” – thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, në takimin në të cilin ka qenë i pranishëm edhe ministri e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kurti ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë, institucioneve të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët.

“Komandanti i KFOR-it i falënderoi Kryeministrin Kurti dhe Ministrin Sveçla për bashkëpunimin e mirë mes Qeverisë, Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, ndërsa i përgëzoi policët për sjellën profesionale lidhur me ngjarjet në veri të Republikës së Kosovës” – thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, kryeministri Kurti dhe ministri Sveçla potencuan profesionalizmin dhe guximin e organeve të rendit dhe të sigurisë, përkatësisht Policisë, në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë.

​ Javën e kaluar, kryeministri Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike edhe me Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

Tensionet në veri, Stoltenberg bisedon me Kurtin: Palët të shmangin veprimet e njëanshme