Foto: ZKM
Kurti takon ish-presidentët Mojsiu e Sejdiu, diskutojnë për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar ish-presidentët e Shqipërisë dhe Kosovës, Alfred Moisiun dhe Fatmir Sejdiun.
Sipas një komunikate për media, në takim ata kanë diskutua për progresin ekonomik dhe demokratik të Kosovës si dhe marrëdhëniet dhe projektet e përbashkëta midis dy shteteve.
Kurti u ka uruar mirëseardhje në Kryeministri, pas pjesëmarrjes së djeshme që kishin në konferencën “Balkan Leadership Conference”, të organizuar nga Federata e Paqes Universale në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.
“Gjatë këtij takimi u diskutua rreth progresit ekonomik dhe demokratik të Kosovës, për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri lidhur me projektet e përbashkëta mes dy shteteve, në veçanti ato në fushën e ekonomisë, të cilat e fuqizojnë edhe më shumë lidhshmërinë mes republikave tona”- thuhet në komunikatë.
Në njoftim u bë e ditur se në takim është biseduar edhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe botë.
“Gjithashtu, u bisedua edhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe botë. Z. Moisiu dhe z. Sejdiu i uruan Kryeministrit punë të mbarë dhe suksese të mëtutjeshme edhe duke iu gëzuar faktit të progresit ekonomik të Kosovës të arritur gjatë viteve të fundit”- theksohet tutje në kumtesë.